Lajme

India njeh zyrtarisht kriptovalutat


India bëri një hap më afër adoptimit të kriptomonedhave, pasi vendi kërkon të sinkronizohet me lëvizjen globale drejt aseteve digjitale.

Banka e Rezervave të Indisë do të prezantojë monedhën e saj digjitale duke filluar nga 1 prilli, tha të martën Ministrja e Financave, Nirmala Sitharaman, në fjalimin e saj për buxhetin.

Kombi gjithashtu planifikon të taksojë të ardhurat nga transfertat e aseteve digjitale me 30%, tha ajo, duke hequr efektivisht pasiguritë rreth statusit ligjor të transaksioneve të tilla.

Ministrja e Financave të Indisë, Nirmala Sitharaman

India u bashkohet vendeve, përfshirë Kinën, për të çuar përpara me versionet digjitale të monedhave të tyre, ndërsa ata kërkojnë të përdorin teknologji të reja për t’i bërë transaksionet më efikase.

Në të njëjtën kohë, shkalla e lartë e taksave mbi kriptomonedhat mund të shkëpusë tregtitë që kanë qenë në rritje në Indi, pavarësisht paralajmërimeve të bankës qendrore për rreziqet e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve.

Megjithatë, norma relativisht e lartë e taksave mund t’i shtyjë tregtarët të lëvizin në platforma në vende të tjera, gjë që do të reduktonte të ardhurat për qeverinë indiane.

Deri më tani, India nuk ka ndonjë ligj që rregullon tregtimin e monedhave virtuale, megjithëse kishte propozuar bllokimin e tyre në fillim të vitit të kaluar. Kjo nuk i ndaloi miliona indianë të hidheshin në valën e kërkesës globale për asete digjitale. Tregu lokal, gjatë vitit 2021, u rrit me 641%.

“Ka pasur një rritje fenomenale të transaksioneve në asetet digjitale”, tha Sitharaman.

“Sasia dhe shpeshtësia e këtyre transaksioneve e kanë bërë të domosdoshme sigurimin e një regjimi tatimor specifik”.

Ministrja e financave tha se rupi-ja digjitale do të sjellë një menaxhim më të lirë dhe më efikas të monedhës.

Banka e Rezervës së Indisë ka punuar në një strategji, e cila mund të zvogëlojë varësinë e lartë të vendit nga paratë cash.

Kina ka filluar tashmë provat e monedhës së saj digjitale të bankës qendrore në disa qytete, dhe madje planifikon të nxjerrë juanin e saj digjital për përdorim nga atletët dhe spektatorët në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit që fillojnë këtë javë.

Rezerva Federale e SHBA-së dhe Banka e Anglisë po planifikojnë gjithashtu të krijojnë monedhën e tyre digjitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore