Lajme

Indi, vdesin 13 pacientë të kujdesit intensiv pasi flakët pushtuan spitalin


Spitali i djegur në Indi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Indi të premten e 23 prillit. Pas një zjarri që shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali, ku trajtoheshin pacientë me Covid-19 në Mumbai, mbetën të pajetë 13 pacientë.

Ndërsa katër pacientë, të cilët mbijetuan, u zhvendosën në një spital afër.

Autoritet indiane deklaruan se zjarri, i cili ndodhi herët në mëngjes, u shua.

Mbetet e paqartë sesi nisën flakët. Kryeministri i Maharashtra-s, Narendra Modi, ka urdhëruar një hetim.

Ai shprehu ngushëllimet në median sociale Twitter, duke e quajtur incidentin “tragjik”.

Incidenti vjen në mes të një vale vdekjeprurëse të dytë të infeksioneve në Indi.

Ndërkohë spitalet janë mbingarkuar, duke krijuar një mungesë kritike të oksigjenit, shtretërve dhe ventilatorëve.

Çfarë po ndodh në Indi?

Të premten, India regjistroi 332 mijë e 730 raste infektimesh me Covid-19.

Numri më i lartë ditor i parë kudo në botë për të dytën ditë me radhë.

Vdekjet ditore nga Covid-19 u rritën me një rekord 2 mijë e 263 në 24 orët e mëparshme.

Numri në rritje i rasteve ka rezultuar në një krizë të thelluar të kujdesit shëndetësor që ka kapur disa shtete.

Modi ka njoftuar se do të zhvillojë takime, ditën e premte, me kryeministrat e shteteve më të prekura dhe prodhuesit e oksigjenit.

Gjykata e Lartë e Indisë i ka kërkuar qeverisë qendrore për një plan kombëtar deri të premten, për forcimin e furnizimit, oksigjenit, ilaçeve, trajtimit dhe vaksinave.

Gjykata e Lartë e quajti situatën një “urgjencë shëndetësore kombëtare”.

Maharashtra është shteti më i goditur në vend, për sa u përket rasteve dhe po përballet me një mungesë oksigjeni.

Dy ditë më parë, 24 pacientë me Covid vdiqën në një pjesë tjetër të Maharashtra-s, pasi ata humbën rrjedhën e oksigjenit në ventilatorët e tyre.

Ditët e fundit, disa spitale të tjera në Delhi deklaruan se atyre po u mbaronte oksigjeni dhe furnizimet me të janë zvogëluar.

Një numër njerëzish kanë vdekur, ndërsa po prisnin për furnizime dhe shumica e shtretërve të kujdesit intensiv në spitalet e Delhi-t janë plot.

Max Healthcare, i cili drejton 10 spitale private në zonën e New Delhi, tha të premten në mëngjes se kishte pritur furnizime me oksigjen për më shumë se shtatë orë në dy institucione.

Tre shtete të tjera indiane – Gujarat, Uttar Pradesh dhe Haryana – po përballen gjithashtu me një mungesë kritike të oksigjenit.

Ndërkohë një urdhër-ndalimi ka hyrë në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar për vizitorët nga India.

Qytetarët britanikë dhe irlandezë do të lejohen ende të hyjnë.

Por atyre u duhet të qëndrojnë në karantinë për 10 ditë.

Kanadaja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar fluturimet e pasagjerëve për 30 ditë.

Ndërsa Singapori ka forcuar kufizimet për udhëtarët nga India.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore