Lajme

INDEP propozon strukturë me 3 bllok-tarifa për çmimin e energjisë elektrike: Janë më të ulëta se ato të ZRRE-së


Ilustrim

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka propozuar strukturë prej tri bllok-tarifash për konsumatorët e energjisë elektrike.

Sipas këtij propozimi ata që shpenzojnë deri në 600 kilovatë orë në muaj rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, ata nga 600 deri në 1 mijë e 200 kilovatë në muaj rritje me 70 për qind e ata mbi 1 mijë e 200 kilovat rritje prej 80 për qind të çmimit.

Për INDEP-it, ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka propozuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë pasi sipas tyre propozimi i ZRRE-së çon në rritjen e çmimit për ata që shpenzojnë mbi 600 kilovatë orë mbi 200 për qind.

INDEP-i ka thënë se do t’i dërgojë propozimet si komente me shkrim edhe në ZRRE.

Propozimi i tarifave të energjisë elektrike nga INDEP

Në arsyetim të këtij propozimi, Liron Gjocaj, hulumtues në INDEP, ka thënë se me propozimin që ata konsumojnë deri 600 kilovatë orë në muaj të mos kenë shtrenjtim të çmimit të rrymës, do të bënte që të ketë ulje të interesit për masat e efiçiencës.

Një ngritje e çmimit në këso bllok-tarifa, sipas INDEP-it, do të nxiste përpjekjet e qytetarëve për kursim.

Gjocaj, ka arsyetuar propozimin për ngritje prej rreth 70 për qind të çmimit për kategorinë e dytë (600-1200KW) do të bënte që qytetarët të ishin më të barabartë në shpenzime sikur ata që ngrohen me ngrohje qendrore, sikur ata që shfrytëzojnë energjinë për ngrohje.

Liron Gjocaj dhe Dardan Abazi

Për shpenzuesit e mbi 1 mijë e 200 kilovatë orë, INDEP-i ka thënë se kjo është kategori e njerëzve që kanë të hyra më të mëdha dhe se është e rëndësishme që të bëhet ndarja mes sasisë esenciale për shpenzim dhe asaj mbi mesatare.

Në anën tjetër, Dardan Abazi, udhëheqës i hulumtimeve në INDEP, ka thënë se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm.

Sipas tij çështja e mos përfshirjes së Veriut të Kosovës në propozimin e ZRRE-së ndërlidhet ngushtë me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Nuk mund të flitet se a mund të shtrenjtohet ose duhet shtrenjtohet për një pjesë të Kosovës e cila nuk paguan energji elektrike. Është diskutim qesharak, që të themi se a është rritur për dikë që nuk paguan, normal që nuk ka rritje fare të çmimit, konsiderojmë që është vërtetë shqetësuese që në një treg të rregulluar një pjesë e paguan një pjesë tjetër nuk paguajnë”, ka thënë Abazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore