Shqipëria

Incidenti në Rinas/ TIA: Avioni zvicerian bëri ulje të detyruar pas një avarie, asnjë i lënduar


Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar se pasditen e 28 shtatorit, një avion i vogël model Beechcraft bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave.

Në njoftimin e TIA-s citohet se kjo ka ndodhur rreth orës 16:15. Avioni ishte i regjistruar në Zvicër HB-EFH.

Brenda në bord ndodheshin katër persona – dy të rritur dhe dy fëmijë – të gjithë shtetas zviceranë.

Avioni ishte nisur nga Venezia, me destinacion Tiranën. Pasagjerëve u është dhënë menjëherë ndihma e parë.

“Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë”, theksohej në njoftimin zyrtar të TIA-s.

Fluturimet u pezulluan për 1 orë e 45, pasi Organi Kombëtar i Investigimit të Incidenteve Ajrore kreu investigimin në zonën e pistës. Më pas ata vendosën zhvendosjen e avionit nga pista.

Ndërkohë fluturimet kanë rifilluar dhe TIA mbetet në dispozicion të çdo pasagjeri.

Në fund të njoftimit TIA ka falënderuar të gjithë udhëtarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore