Kosova

IKSHPK apelon për kujdes nga temperaturat e larta, rekomandon disa masa mbrojtëse


Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

Përmes një shkrimi të postuar në rrjetin social, Facebook, nga IKSHPK-ja, kanë thënë se këto temperatura ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit.

“Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet në njoftim.

Nga ky institut kanë publikuar edhe disa këshilla se si të moshuarit të mbrohen nga i nxehti.

“Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet”.

“Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta”.

“Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”.

Ndryshe, Kosova është duke shënuar temperatura të larta gjatë ditëve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore