Lajme

IKD: Në Gjykata e Prokurori të Kosovës nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor


Në sistemin gjyqësor të Kosovës nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor. Nga 419 gjyqtarë, vetëm 146 prej tyre janë gra apo 35%, ndërsa 273 janë meshkuj, apo 65%.

Këto statistika i ka nxjerrë Instituti i Kosovës për Drejtësi, të publikuar këtë të enjte në raportet Sfidat në administrimin e gjyqësorit”, dhe “Keqadministrimi i sistemit Prokurorial”, si rezultat i monitorimit sistematik që IKD i ka bërë Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2022.

Përveç kësaj, sipas Gëzim Shalës, hulumtues i lartë në IKD, edhe sipas Raportit të Progresit për vitin 2022, Kosova ende ka një përqindje të ulët të gjyqtareve dhe prokuroreve, në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane.

Tutje, Shala tha se përqindje pothuajse e ngjashme është edhe sa i përket përbërjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga 11 anëtarë të Këshillit, vetëm katër janë gra.

Shprehur në përqindje i bie se 63.63% e KGJK përbëhet nga burrat dhe vetëm 36.36% e KGJK përbëhet nga gratë.

Pabarazi edhe më e theksuar shprehet në pozitat udhëheqëse. Përqindja e grave në pozitat udhëheqëse nuk është ekuivalente me përqindjen e përgjithshme të grave gjyqtare në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi nga dhjetë gjykata në vend, vetëm dy prej tyre (Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Prizren) udhëhiqen aktualisht nga gratë.

Kështu, Shala tha se përballë faktit se 35% e sistemit gjyqësor përbëhet nga gratë, vetëm 20% e tyre janë në pozita udhëheqëse.

Sipas Eranda Zekajt, hulumtue në IKD-së, e cila prezentoi raportin “Keqadministrimi i sistemit prokurorial” tha se në Kosovë, përfaqësimi i barabartë gjinor nëpër institucione publike kërkohet me Kushtetutë dhe rregullohet me ligje të veçanta, e specifikisht rregullohet me Ligjin për Barazinë Gjinore.

“Po ashtu, Ligji për Këshillin Prokurorial ka përcaktuar se KPK do të mbikëqyrë kriteret për pranim në Prokurori, kritere këto ku përfshihet edhe barazia gjinore. Madje, sipas këtij ligji anëtarët e Këshillit pasqyrojnë natyrën shumetnike dhe parimet e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës”.

“Mirëpo, në praktikë barazia gjinore në përgjithësi në sistemin prokurorial lë shumë për të dëshiruar, e për më tepër kjo pabarazi është më e theksuar në pozitat udhëheqëse, ku mbi 90% e tyre udhëhiqen nga prokurorët burra”, tha Zekaj.

Zekaj shtoi se në fund të nëntëmujorit të vitit 2022, numri i përgjithshëm i prokurorëve në Prokurorinë e Shtetit ka qenë 183 prokurorë. Nga numri i përgjithshëm i prokurorëve, 105 apo 57.38% janë burra dhe 78 apo 42.62% janë gra.

Përqindje pothuajse e ngjashme hulumtuesja Zekaj tha se është edhe sa i përket përbërjes së KPK-së. Nga 11 anëtarë të KPK-së, vetëm tre janë gra. Shprehur në përqindje i bie se 73% e KPK-së përbëhet nga anëtarët burra dhe vetëm 27% e KPK-së përbëhet nga anëtaret gra.

Tutje, hulumtuesja Zekaj shtoj se pabarazia më e theksuar shprehet në pozitat udhëheqëse. Përqindja e grave në pozitat udhëheqëse nuk është ekuivalente me përqindjen e përgjithshme të grave prokurore në sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi, nga dhjetë Prokurori në vend, pozitën e kryeprokurorëve e mbajnë vetëm prokurorët. Kështu, përballë faktit se 42.62% e sistemit prokurorial përbëhet nga gratë prokurore, vetëm 3% e tyre janë në pozita udhëheqëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore