Lajme

Ibishi: Pak reagime për ndërtimin e universitetit në pjesën veriore të Mitrovicës


Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi është shprehur se pas fillimit të ndërtimit të një universiteti nën financimin e Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës është reaguar pak.

“Realisht ne pak kemi reaguar pak, kjo po vazhdon edhe tani duke arsyetuar se ekziston Universiteti në Veri të Mitrovicës, e dimë lagja Bregu i Dielli që është ndërtuar si një lagje e veçantë pa leja as urbanistike as hapësinore, kështu që mendoj se duhet të reagohet me kohë se kur arrin një fazë të ndërtimit dhe zgjerimit të kapaciteteve çfarë po i bën në Mitrovicë”, ka deklaruar Ibishi për EO.

Sipas tij, “ndërtimi i këtij universiteti ka qëllime të caktuara nga ana e serbëve andaj Kosova duhet të kërkoj ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Përveç këtyre, ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të komunikojnë me partnerët ndërkombëtar.

“Institucionet tona mos të mbyllen në gëzhojë, por të komunikojnë me ndërkombëtarët, edhe me BE-në edhe me partnerët tanë strategjik dhe të tregojnë realitetin që një situatë kur nuk mundemi plotësisht ta menaxhojmë, të kërkojnë ndihmë me qëllim të reagimit dhe normal të veprimit, që të pengojnë edhe ndërtimin nëse nuk është konformë atyre standardeve”, ka thënë ai.

Ndërsa, ardhjen e afganëve në Kosovë, e konsideron si barrë në aspektin financiar ashtu edhe në atë të sigurisë.

“Kur flasim për një situatë të rënduar në Kosovë, kur jemi në një fazë shumë kritike të ballafaqimit me sigurinë shëndetësore, me trendin në rritje të pandemisë që po tregon shifra alarmante, kjo është një barrë shtesë, pra ardhja e afganëve, si në aspektin logjistik të vendosjes së tyre por edhe financiar e të siguris”.

Ai shton se “ballafaqimi në aspektin e sigurisë do të jetë mjaftë i rëndë për shkak se edhe vet kapacitetet në Kosovë janë të kufizuara, kur ka të bëjë më verifikimin e tyre të mos implikohen personat që mund të shkaktojnë probleme të sigurisë në kamp por edhe jashtë tij”.

Më 23 gusht, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj në formë elektronike ka vendosur që t’u ofrohet mbrojtje e përkohshme dhe e menjëhershme kontraktorëve afganë, të cilët aktualisht punojnë në NATO, përfshirë edhe familjeve të tyre.

“Në rast të nevojës e me qëllim të sigurisë kombëtare, ata do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës. Ky vendim, në përjashtim të kategorisë së personave, të cilëve u ofrohet mbrojtje, korrespondon me pikat tjera të vendimit numër 01/26 të datës 16.8.2021”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore