Sport

‘I rilinduri’, Militao


Eder Militao po zhvillon ndeshjet më të mira, që nga koha e mbërritjes në Madrid. Braziliani ka përfituar nga dëmtimi i Sergio Ramos-it dhe ka luajtur më shumë minuta me Real Madrid-in.

Militao ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë, në përballjen me Chelsea-n në Ligën e Kampionëve, e cila u mbyll në barazim 1-1.

23-vjeçari ka rilindur tashmë dhe do të jetë interesante për t’u parë kur të kthehet Ramos-i, se cili do të jetë në formacionin e parë.

Në ndeshjen e kthimit kundër Chelsea-s, kapiteni pritet të rikthehet në fushë, por nëse disa kohë më parë dukej e pamundur që Militao të luante përpara Ramos-it, tanimë kjo mund të jetë ngjarje e vërtetë.

Në total, këtë sezon Militao është paraqitur 15 herë me fanellën e Real-it, duke shënuar një gol dhe gjithashtu ka dhuruar një asist.

Pesë ndeshjet e fundit të Real-it në La Liga, ai ka luajtur nga 90 minuta të plota dhe skuadra ia ka dalë të marrë tri fitore dhe dy barazime. Vlen të theksohet fakti se në këto pesë ndeshje, Real-i ka pësuar vetëm një gol dhe ka shënuar shtatë të tillë.

Në Ligën e Kampionëve ka luajtur nga 90 minuta të plota në tri përballjet e fundit. Përkatësisht, dy kundër Liverpool-it dhe një ndaj Chelsea-t.

Sofascore i jep vlerësim mbi notën 7 për tetë ndeshjet e fundit brazilianit. Madje, në përballjen me Chelsea-n, Miliato është vlerësuar me notën 8. Vetëm Christian Pulisiç-i u vlerësua më lartë, me notën 8.2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore