Kosova

I ndërpritet misioni befasisht Konsullit të Kosovës në Dyseldorf – “në letrën njoftuese nuk u dha asnjë arsye, asgjë”


Ne mes, Arjan Kashtanjeva

Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në Dyseldorf të Gjermanisë, Arjan Kashtanjevës, i është ndërprerë mandati nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe është urdhëruar të kthehet në Kosovë, por akoma nuk i është dhënë asnjë arsye nga ministria.

Njoftimin për ndërprerje të mandatit ai e ka bërë publik në Facebook.

I pyetur nga Albanian Post për arsyet e stopimit të misionit diplomatik, Kashtanjeva ka thënë se “unë jam diplomat i karrierës dhe nuk kam të drejtë të flas pa leje të ministrisë së punëve të jashtme, për çdo pyetje drejtohuni në MPJ”.

Si zakonisht, Ministrja e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë përgjigje për AP.

Megjithatë, Kashtanjeva ka mundur të deklarojë se në letrën njoftuese për ndërprerjeje nuk bëhet e ditur se çfarë ka ndodhur.

“Në shkresën e njoftimit për ndërprerje të mandatit, jo shkarkim, nuk shkruan as një arsyetim, asgjë. Thjesht as një fjalë”.

Madje, siç sqaron ai, nuk janë “as ato shkrimet e zakonshme që i kanë përdorur për diplomatët në pozitën e njëjtë, të cilët u shkarkuan para meje”.

Atyre, iu shkruante “përfundon misioni për shkak të nevojave në ministri”.

“Tek unë nuk ka qene as ky arsyetim”.

Kashtanjeva gjate nje organizimi ne Konsullate

Konsullatën në Dyseldorf Kashtanjeva – që ndjehet i befasuar nga vendimi – e ka udhëhequr qysh nga themelimi.

Në profilin e tij në Facebook ai ka shkruar se, megjithatë ishte “nder dhe privilegj të themeloj Konsullatën në Kryeqytetin jo vetëm të Vestfalisë (NRË) si Republika më e madhe në Gjermani por edhe të aktivistëve dhe veprimtarëve më të shquar shqiptarë, dëshmorëve dhe veteranëve, sportistëve, afaristëve, studentëve e intelektualëve”.

Konsullata në Dyseldorf ka qenë e njohur si një nga më të suksesshmet të Kosovës në botë.

Gjithashtu, vetë Kashtanjeva tregon se ishte nga të paktat që ishte angazhuar  në aktivitete të diplomacisë kulturore.

“Kemi pasur rastin të organizojmë evente të ndryshme kulturore, hapësira për takime të shoqatave shqiptare, klubeve sportive, këndi i lodrave për fëmijë si dhe takime të nxënësve të shkollës shqipe”.

Po ashtu, kjo konsullatë është e vetmja e cila posedon Bibliotekë me afro tre mijë tituj librash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore