Shqipëria

I.M. apo Ilir Metaj?


Një shkresë e Autoritetit të Dosjeve ka hedhur dyshime mbi identitetin e një personaliteti të lartë aktual të shtetit.

Kjo, në lidhje me përfshirjen e tij në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit (inteligjencës komuniste).

Dyshimet e ngritura në mbrëmjen e 26 korrikut morën hov 24 orë më pas.

Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i drejtohej kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërsisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit”.

Ndër të tjera, dokumenti përfshinte edhe pesë figura të tjera të rëndësishme (A.D, Th.S, S.H, Xh.Sh dhe D.Ç).

Këta të fundit, kanë pasur gjithashtu certifikatë të pastërtisë së figurës dhe figurojnë në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Image

Kush është I.M.?

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, deklaroi se Autoriteti i Dosjeve duhet të sqarojë menjëherë kush është shtetasi I.M.

Sipas saj, kreu i kësaj force politike (Ilir Meta) nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për informim drejt këtij institucioni.

“Autoriteti i Dosjeve nuk i ka vendosur kurrë në dispozicion me kërkesë të tij, Ilir Metës një dosje të ish-Sigurimit për shtetasin I.M”, shtoi ajo.

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i konsideroi me keqardhje akuzat në drejtim të tij.

“E-maili anonim më duket qesharak. Mbas 30 e sa vitesh del që I.M. qenka me Sigurimin e Shtetit”, u shpreh ai.

Bordi i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit i kërkoi Kuvendit që të ndryshojë ligjin mbi dosjet në vend.

Kjo, për shkak se favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Këta të fundit, nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe mbrohen nga një klauzolë e veçantë.

Reagim

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi më herët se ka vënë në dijeni institucion që drejton për zhvillimet e fundit.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës për mediat, pas mbledhjes me krerët e grupeve parlamentare.

“Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin”, nënvizoi Nikolla.

Ajo shtoi se rasti është “tronditës” dhe “Kuvendi duhet të reagojë patjetër”.

Nikolla thirri gjatë së mërkurës pikërisht kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve.

Këta janë informuar mbi letrën e Autoritetit të Dosjeve dhe identitetin e politikanit me inicialet I.M.

Ajo që dihet deri më tani është se në regjistrin e klasës së Metës në fillimvitet ’90 janë tre persona me iniciale I.M.

Cili është i treti i vërteti mes tyre?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore