Shqipëria

I dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin viziton Tiranën sot, Sarrazi: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, fokusi i qeverisë federale


I Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazi, të enjten e 17 marsit do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, që pas marrjes së detyrës së re.

Në agjendë është parashikuar që gjatë kësaj dite Sarrazi të takojë zyrtarët më të lartë të shtetit në Shqipëri.

Fillimisht ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, më pas me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhackën.

Sakaq pjesë e agjendës janë edhe takimet me disa deputetë dhe me përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile.

“Për mua është shumë e rëndësishme që fill pas marrjes së detyrës si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane të vizitoj personalisht të gjitha vendet e rajonit”, kështu do të shprehej ai.

Përpos kësaj ai ka theksuar se, “me këtë dua të bëj të qartë se Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë. Kjo ka prioritet të lartë”.

Sipas agjendës Sarrazi do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën rajonale “Balkan Dialogues”.

Nga ana tjetër ai ka bërë me dije se, “Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”, ka qenë mesazhi i tij.

Kush është Sarrazi?

18 shkurti do të ishte data kur ish-deputeti i Bundestag-ut nga radhët e partisë së Gjelbër mori detyrën si i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimorë.

Sarrazi me profesion është historian dhe ka qenë anëtar i Bundestag-ut nga viti 2008 deri në vitin 2021. Ai aktualisht është President i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), e cila është e specializuar në marrëdhëniet e Gjermanisë me rajonin.

Qeveria aktuale gjermane u formua në dhjetor të vitit të kaluar nga Partia Social Demokrate, Partia Demokratike e Lirë dhe të Gjelbërit, të cilat kanë marrë në drejtim Ministrinë e Jashtme gjermane.

Gjermania pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, është shteti i tretë që ka emëruar të dërguar special për Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore