Lajme

Hyrjet e parregullta në BE nga Mesdheu arritën një nivel të paprecedentë


Fluksi i emigrantëve nëpër Mesdheun qendror ka arritur një nivel të paprecedentë, sepse bandat e kontrabandës po organizohen gjithnjë e më shumë dhe është shumë më e lehtë të bëhen anije të improvizuara, tha për AFP drejtori i Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex).

Midis janarit dhe prillit, numri i hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian nëpërmjet Mesdheut qendror u rrit me pothuajse 300 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, duke arritur në 42 mijë e 200.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë”, tha Hans Leijtens, drejtori i agjencisë evropiane, në një intervistë me AFP të premten.

Kjo, duke shtuar se numri ishte pak më shumë se gjysma e 80 mijë e 700 hyrjeve të parregullta në BE të regjistruara që nga fillimi i vitit.

“Për momentin po shënojmë një rritje prej 1 mijë e 100 për qind krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht nga Tunizia”, tha Leijtens.

Sipas Hans Leijtens, një rritje e tillë është pasojë e ndryshimit të mënyrës së punës së kontrabandistëve dhe kontrabandimit më të lirë të migrantëve.

“Aktualisht përdoren për enë të vogla metalike që mund të bëhen në plazh brenda një dite”, dhe kushtojnë rreth 1 mijë euro, shtoi Leijtens.

“Një çmim më i ulët do të thotë se ata kanë nevojë për më shumë njerëz. Kjo mund të shpjegojë shifra të tilla”, theksoi ai.

Sipas drejtorit të Frontex, kontrabandistët po organizohen gjithnjë e më shumë dhe konkurrojnë me njëri-tjetrin “dhe nuk kanë asnjë problem me humbjet e jetëve”.

Në të paktën një rast, tha ai, konkurrenca e fundosi varkën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore