Lajme

Hyn në fuqi ligji që e bën shpifjen vepër penale në Republikën Srpska


Millorad Dodik

Amendamentet e Kodit Penale të Republikës Srpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – të premten 25 gushtit kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, duke e bërë shpifjen vepër penale.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, më 18 gusht dekretoi Ligjin mbi Amendamentet në Kodin Penal të Republika Srpska, ligjin të cilën Kuvendi Kombëtar të Republikës Srpska miratoi në seancën e mbajtur më 20 korrik të këtij viti.

Këto ndryshime në ligj u miratuan pavarësisht paralajmërimeve disamujore të gazetarëve, aktivistët dhe komunitetit ndërkombëtar se ato përfaqësojnë një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe një hap drejt futjes së censurës në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës.

Me ndryshimet ligjore në fjalë nga tash e tutje bërja e deklaratave dashakeqe ose të pavërteta për një person do të quhet shpifje, për të cilën parashikohen gjoba nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Në draftin përfundimtar të ligjit, gjobat për shpifje janë ulur në krahasim me draftin paraprak në të cilin gjobat arrinin deri në 60 mijë euro.

Gjoba më të mëdha parashikohen në situatat kur shpifja paraqitet në media, përfshirë rrjetet sociale ose në një takim publik.

Më 25 gusht skadoi afati ligjor prej tetë ditësh pas publikimit të ndryshimeve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska dhe ato dispozita hynë në fuqi.

Ndryshimet ligjore u kundërshtuan nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë Ambasadën Amerikane dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në këtë vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore