Lajme

Humb jetën gjatë sulmeve ajrore ruse, modelja braziliane që iu bashkua forcave ukrainase


Modelja braziliane, e cila iu bashkua forcave ukrainase si një snajper elitar në luftën kundër Rusisë, u vra gjatë një sulmi me raketë, thanë të afërmit.

Thalita do Valle, një ish-modele 39-vjeçare, e cila kishte qenë në Ukrainë për vetëm tri javë, vdiq gjatë një sulmi me raketa ruse më 30 qershor në Kharkiv, ku u gjend në mes të shpërthimeve të forta.

Ish-modelja, e cila gjithashtu ndoqi shkollën juridike, kishte postuar video të kohës së saj në Ukrainë në kanalin e saj në YouTube, të cilat dokumentonin përvojën e saj të mëparshme si luftëtare kundër Shtetit Islamik në Irak.

Ndërsa ishte në Irak, Do Valle u trajnua si snajper me Peshmergët në rajonin e pavarur të Kurdistanit.

Vëllai i saj, Theo Rodrigo Viera, e vlerësoi atë si një heroinë që ia kushtoi jetën e saj për të ndihmuar të tjerët në nevojë.

Viera për mediat lokale tha se motra e tij u bllokua në një bunker në Kharkiv mes bombardimeve të rënda ruse dhe vdiq nga asfiksia.

“Thalita ka qenë gjithmonë e përfshirë në misione humanitare me legjionin e huaj të ndonjë vendi ose këtu në Brazil”, tha Viera.

“Ajo ishte gjithmonë e prekur nga ndjenja e shpëtimit të kafshëve dhe njerëzve. Motra ime ishte gjithmonë paqësore, një përparimtare e vërtetë. Armët janë pjesë e një lufte, por ajo shpëtoi shumë jetë”.

Në Ukrainë, Do Valle ishte stërvitur si snajper dhe kishte siguruar mbrojtje për trupat ukrainase nga forcat ruse që avanconin. Vëllai i saj tha se ajo i kishte mbijetuar një bombardimi të mëparshëm në Kiev.

Vdekja e ushtares vullnetare nga Brazili mbushi internetin me homazhe, duke përfshirë disa foto në kohë më të lumtura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore