Lajme

Simiç: Tensionet në Veri janë të larta


Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, ka thënë se tensionet në pjesën veriore të Kosovës janë të larta, por nuk janë rezultat i ndonjë aktiviteti serb, “por i shkaktuar nga plani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili shpërfill thirrjet e vendeve më të fuqishme të botës”, tha Simiç.

“Ne përpiqemi të bëjmë një jetë normale, por tensionet janë të pranishme në jetën tonë dhe ndikojnë në çdo proces shoqëror që ndodh rreth nesh”, tha Simiç, raporton Tanjug.

Ai ka shpjeguar se Kurti nuk po heq dorë nga synimi i tij i qartë “për të dëbuar serbët nga Kosova” dhe ka theksuar se “policia vazhdimisht po e ngacmon popullin serbë”, duke i penguar ata të bëjnë një jetë normale të përditshme.

Lista Serbe proteston të mërkurën

Ndërsa Lista Serbe përmes një konference për media, ka paralajmëruar për këtë të mërkure një tubim të madh në pjesën veriore të Mitrovicës me fillim në orën 15:00.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka theksuar se serbët nuk do të tolerojnë, sipas pretendimeve të tyre, “terrorin” e Kosovës duke paralajmëruar kështu edhe shpeshtimin e protestave.

“Ne duam vetëm paqe. Ne kërkojmë vetëm të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara”.

“Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka shtuar Rakiç të martën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore