Lajme

LDK-ja – Qeverisë: Nisni dialogun me sindikatat, procedoni Ligjin e Pagave


Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të nis dialogun me sindikalistët si dhe të procedoj sa më parë Ligjin për Pagat.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur lajmin për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit dhe zyrtarët publik në komunat tona”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Thirrjet tona për çështje të tilla, dëshmojnë edhe njëherë që Qeveria është e papërgjegjshme ndaj vendimeve të saj”.

Sipas LDK-së, mos ekzekutimi i pagave sidomos për muajin gusht gjatë pushimit kur nuk ka pasur asnjë efekt si dhe dënimi kolektiv është rast i paprecedent që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e arsimit në Kosovë.

“LDK i bën thirrje edhe njëherë Qeverisë që të ulet dhe të nis dialogun social me të gjithë sindikalistët dhe jo të komunikojë në distancë përmes deklaratave të shkurta që në këtë kohë krize përveç se janë ofendim, është edhe gabim dhe thellon edhe më tutje krizën që po përballemi sot”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim theksohet se Qeveria duhet të dëgjoj e pranoj kërkesat e tyre që procesi të filloj menjëherë, duke shtuar se “nxënësit tanë të kthehen në bankat e shkollës e mësimdhënësve tanë t’u kthehet dinjiteti”.

LDK gjithashtu ka kërkuar që në seancën e parë në Kuvendin e Kosovës, të procedohet Ligji për Pagat, por edhe të diskutohet.

“Njëjtë sikurse kemi propozuar dhjetëpikëshin tonë për tejkalimin e krizës energjetike jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë ekspertizën tonë për të gjetur zgjidhje ndaj krizës ekonomike dhe problemeve me të cilat po përballen qytetarët tanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore