Lajme

Krasniqi: Vrasja e 45 civilëve në Reçak ishte krim kundër njerëzimit


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Masakra e Reçakut, 24 vjet më parë, dëshmoi qëllimin dhe synimin e një politike gjenocidale dhe të orkestruar të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Vrasja e 45 civilëve në Reçak, në gjakftohtësi dhe me paramendim, ishte krim kundër njerëzimit – çka me të drejtë e cilësoi edhe Ambasadori William Walker”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai ka theksuar se krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, nuk do të harrohen asnjëherë dhe për to nuk do të heshtim derisa drejtësia të vihet në vend.

“Lavdi të përjetshme martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka potencuar se mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

“Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve”.

“Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi”.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se “përulemi e nderojmë të rënët për liri në të gjithë vendin e veçanërisht viktimat e Masakrës së Reçakut, civilët e masakruar në zemër të Evropës, masakër kjo që shokoi dhe vuri në lëvizje gjithë botën demokratike që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë”.

“Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar”, ka shkruar ai në Facebook.

“Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan William Walker që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit”.

Me 15 janar të vitit 1999, forcat ushtarake e policore serbe në fshatin Reçak kishin ndarë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të masakruar në afërsi të fshatit në një mal.

Shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori amerikan William Walker, vrasjen e 45 civilëve të Reçakut e kishte cilësuar si krim kundër njerëzimit.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, pati deklaruar Walker.

Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars filluan bombardimet përmes forcave veri-atlantike të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova, ku me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore