Lajme

Edhe Gjuriçi vajton dënimin e serbit që bëri thirrje për vrasjen e shqiptarëve


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, ka vlerësuar se dënimi i qytetarit serb Nikolla Nedeljkoviç, nga autoritet e Kosovës është “persekutim i motivuar në baza etnike dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut”.

“Lirimi i Nikolla Nedeljkoviç-it dhe të burgosurve të tjerë politikë serbë në Kosovë është parakusht i domosdoshëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi Gjuriç në rrjetin e tij social Twitter.

Ai shtoi se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta dijë se me burgosjen e “disidentëve”, siç e quan ai Nedeljkoviç-in, nuk arrinë askund.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas mediave serbe, ka dënuar me tetë muaj heqje lirie, qytetarin serb Nikolla Nedeljkoviç, i cili u arrestua më 28 qershor në Kosovë, në manifestimin e serbëve të “Vidovdan-it” me akuzën se ka brohoritur “Vrite, vrite Shqiptarin (Šiptar)”, thirrje fashiste kjo që në gjuhën serbe përdoret në konotacion negativ për të ofenduar shqiptarët.

20 vjeçari serb, i cili u arrestua dy muaj më parë, ishte në paraburgim qysh nga 28 qershori i këtij viti me aktakuzën se ka shkaktuar urrejtje dhe intolerancë etnike.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, koha e kaluar në burg do të përshihet në dënim, ndërsa kundër aktgjykimit i pandehur mund të ankohet në Gjykatën e Apelit.

Edhe Gjuriç kishte pasur fatin e njejtë në vitin 2018 kur ai së bashku me disa zyrtarë të lartë serbë, patën hyrë në Kosovë megjithëse qeveria e Kosovës ua kishte ndaluar hyrjen në vend dhe e paralajmëroi se “nëse hynë në Kosovë në mënyrë ilegale, ai do të arrestohet”.

Ai nuk kishte përfillur urdhrat e autoriteteve të Kosovës dhe kishte hyrë në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale për të marrë pjesë në një tubim me qytetar që zhvillohej në veri të Mitrovicës.

Njësitë speciale të policisë së Kosovës ndërhynë për të shpërndarë tubimin, përdorën gaz lotsjellës dhe arrestuan në atë kohë të ashtuquajturin drejtor të “Zyrës për Kosovën” në qeverinë e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore