Lajme

Bashkëpunonte me Lavdrim Muxhaxherin dhe paguhej 1 mijë dollarë në muaj – Gjykata e dënon me mbi 4 vite


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit me inicialet H.S për shkak të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist në vitin 2015 dhe e ka dënuar me 4 vite e tetë muaj burgim.

“Përmes lidhjeve të caktuara kishte depërtuar në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar, është angazhuar si pjesëtarë i “ISIS-it”, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e “ISIS-it”, është financuar nga “ISIS” me shumën e të hollave prej nga 100 dollarë amerikan në muaj, duke bashkëpunuar edhe me epror dhe luftëtarë të “ISIS-it”, si Lavdrim Muhaxheri, e që më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane”, thuhet në njoftim të Gjykatës.

Por, H.S në vitin 2022 është riatdhesuar në Kosovë.

“Të akuzuarit H.S i është  vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe më 23 mars të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special, kishte shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit N.L, për shkak të veprës penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Në njoftim thuhej se i akuzuar ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore