Kosova

Hoxhaj: Të lejohet tërheqja e Trustit


Enver Hoxhaj, Deputet i PDK-së

Tërheqja e parave nga Trusti, shihet si një nga mundësitë për të tejkaluar krizën aktuale të ekonomive familjare në Kosovë.

Ish-zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj ka deklaruar se ka përsëritur kërkesën që të lejohet tërheqja e mjeteve nga ky fond i kursimeve, për qytetarët.

Hoxhaj është i bindur se ndryshimet ekonomike në botë për shkak të pandemisë e luftës së Ukrainës janë kosto e pa përballueshme për kosovarët.

“Trusi është kursim individual dhe në çdo vend perëndimor ai qytetar, i cili kursen në mënyrë individuale ka të drejtë të ketë qasje që këto mjete t’i përdorë në një kohë të caktuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe për shkak të inflacionit dhe për shkak të ndryshimit të ekonomisë botërore si pasojë e luftës së pandemisë është jetike që qytetarët të kenë qasje në Trust”, ka thënë Hoxhaj për Ekonomi Online.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), vlerëson se Trusti është kursim individual dhe çdo qytetar ka të drejtë të ketë qasje që këto mjete dhe t’i përdorë në një kohë të caktuar.

Madje, ai tha se nëse Qeveria nuk ka mundësi që të ndërmarrë masa për t’i mbështetur qytetarët e Kosovës e vetmja mundësi  që mbetet është qasja në Trust.

“Unë kam qenë gjatë në Qeveri dhe vazhdimisht ka rrethana të reja. Dhe natyrisht kur je në Qeveri vendimet i merr në përputhje me ndryshimin e rrethanave. Qytetarët e Kosovës nuk mund ta përballojnë koston e jetës sot”.

“Unë kam qenë në disa vende evropiane dhe atje qeveritë ndërmarrin masa që të mbështesin qytetarët për shkak të rritjes së kostos të çmimeve në çdo fushë. Nëse Qeveria nuk ka mundësi që të marrë paketë për ti mbështetur qytetarët e Kosovës e vetmja mundësi që mbetet është qasja në Trust”, tha Hoxhaj.

A është zgjidhje tërheqja e parave nga Trusti?

Ka muaj që kjo temë qarkullon në mes të qytetarëve dhe politikës kosovare.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, me vetë-iniciativë ka dorëzuar në kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars të këtij vendi.

Këtë projektligj Haxhiu e ka dorëzuar me datë 9 mars, ndërsa para mëse një muaji kishte kërkuar që qytetarëve të Kosovës t’u rimundësohet tërheqja e një përqindje të caktuar të mjeteve të tyre vetanake të Trust-it, përkatësisht deri në 30%.

Më 16 maj, kjo parti, bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Qytetarët, sa herë janë intervistuar, janë shprehur se duan që t’u lejohet tërheqja e një shume parash nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, si ndihmesë e madhe për të tejkaluar trendin e rritjes së çmimeve të konsumit.

“Për” tërheqjes së trustit janë edhe shumë deputetë të opozitës të cilët edhe e nicuan këtë proces në Kuvend të Kosovës.

Por kjo iniciativë po kundërshtohet nga deputetët e mazhorancës, të vetëvendosjes dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Madje, për tërheqjen e trustit në Prishtinë u organizuan edhe protesta masive, por as kjo nuk arriti të bindë qeverinë dhe deputetët e shumicës parlamentare që të ndërrojnë mendje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore