Lajme

Hovenier: S’ka nevojë për konferencë ndërkombëtare, por për vullnet më të fortë politik nga Kosova e Serbia


Jeffrey Hovenier

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk e shohin të nevojshme organizimin e një konference ndërkombëtare për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, por për vullnet më të fortë politik të të dyja palëve në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tani në kuadër të procesit të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Kështu deklaroi të enjten ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili, në një takim me gazetarë, institoi se marrëveshjet ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, duke përmendur refuzimin e të dyja palëve për të lëvizur drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

“Ne kemi një marrëveshje shumë të mirë që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ne e kemi thënë vazhdimisht që presim zbatim të plotë të të gjitha detyrimeve. Ne s’e shohim nevojën për një konferencë ndërkombëtare – ne kemi nevojë për një vullnet më të fortë politik nga të dyja palët për të përmbushur obligimet që i kanë marrë përsipër”, tha ai.

Duke komentuar mbi rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet dinari serb në territorin kosovar, ambasadori amerikan theksoi se SHBA-të presin nga Kosova që ta çojë përpara procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që supozohet se do ta rregullojë çështjen e dinarit.

“Nuk ka nevojë për konferenca – ka nevojë për vullnet politik dhe veprim që të dyja qeveritë të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre. Dhe jemi të zhgënjyer që nuk është duke ndodhur diçka e tillë”, shtoi diplomati amerikan, derisa ftoi sërish Kosovën e Serbinë që të angazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve nën kujdesin e BE-së.

Ndryshe, mungesa e progresit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe tensionet në pjesën veriore të Kosovës, tërhoqi vëmendjen e aktorëve të ndryshëm, përfshirë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në idenë e organizimit të një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e nyjës midis të vendeve armiqësore që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore