Lajme

Hoti takohet me Joseph: Në Kosovë s’ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euro-atlantik


Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti dhe profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins, Edward P. Joseph

Ish-kryeministri i Kosovës njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti të mërkurën është takuar me profesorin amerikan në Universitetin Johns Hopkins, Edward P. Joseph për të cilën ka thënë se ka perspektiv interesante për zhvillimet aktuale në rajon.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ potencoi se i ka dhënë vlerësimin e tij se Kosova ka vetëm një rrugë.

“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante”.

“Për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euro-atlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër”, ka shkruar ai.

Ndërsa, konsideron që Kosova nuk duhet të udhëhiqet nga një Qeveri që sanksionohet nga aleatët.

“Në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euro-atlantik, ngase Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike”.

Tutje Hoti ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë në bashkëpunim me aleatët për hapat që janë të domosdoshëm.

“Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euro-atlantik”.

Sipas ish-kryeministrit, “Kosova ka bërë progres në të kaluarën vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët”.

Në një intervistë ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), janë duke gabuar që po e vendosin fajin tek Kosova sa i përket situatës në Veri.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka njëfarë faji, por të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndër të të tjera ka potencuar se, “SHBA-ja është duke e tepruar në qasje ndaj Vuçiç-it”, pas sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it në Veri që ai i konsideron fyerje ndaj misionit.

Joseph: SHBA-ja dhe BE-ja duhet të zgjohen ta trajtojnë çështjen e Kosovës në mënyrë strategjike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore