Lajme

Hoti: Mjetet e ndara nga Qeveria s’qëndrojnë tek familjet, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i – kjo s’është politikë


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria s’është duke ndërmarrë veprime për ta parandaluar rritjen e faturave të energjisë elektrike në muajt në vijim.

Hoti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ndarja e 11 milionë eurove do të thotë që paratë nga buxheti i shtetit të përcillen tek KEDS-i.

“Në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike”.

“Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, zbritja e çmimit të energjisë elektrike aktualisht do të ishte rruga e duhur.

“Ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar”.

Qytetarë të shumtë janë ankuar për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në muajin dhjetor, duke i krahasuar me faturat e kaluara qytetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me faturat që kanë pranuar.

Më 26 prill, Qeveria e Kosovës, kishte bërë të ditur se ka përfunduar  subvencionimi i faturave të konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike.

Nga kjo masë, e cila ka filluar në muajin shtator të vitit të kaluar, kanë përfituar rreth 200 mijë familje dhe janë kursyer 88 milionë euro nga importi, kishte thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media, së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Nga ky muaj Qeveria e Kosovës kishte subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kishin kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Murati tregoi se subvencionimi për tre muajit e parë (shtator, tetor, nëntor) janë paguar nga buxheti i Kosovës, ndërsa katër muajt e tjerë (dhjetor 2022, janar, shkurt, mars 2023) janë paguar nga fondet e Bashkimit Evropian në shumën prej 15 milionë eurosh.

Nga 1 prilli i 2023-ës qytetarët në Kosovë kanë nisur t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

Ky vendim është marrë në muajin mars nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike.

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike “s’është e rastësishme, por e qëllimshme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore