Lajme

Hoti: Ligji për Personat e Zhdukur së shpejti do të kalojë në konsultim publik


Foto nga arkivi.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, të martën ka deklaruar se Ligji për Personat e Zhdukur së shpejti do të kalojë në konsultim publik.

Lajmin e ka bërë të ditur Hoti gjatë takimit me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku tha se gjatë vitit 2023 kanë gërmuar në 15 lokacione në territorin e Kosovës.

“Ligji për Personat e zhdukur ende nuk është përfunduar. Ka përfunduar nga ana jonë, shumë shpejt do të jetë në konsultime publike”, deklaroi Hoti.

Ai për gërmimet tha se gjatë 2023-së është bërë gërmime vetëm në një lokacion në Serbi.

“Janë dorëzuar nëntë mbetje mortore te familjarët gjatë vitit 2023. Fatkeqësisht gjatë vitit 2023 janë bërë gërmime vetëm në një lokacion ne Serbi, në Shtavall. Shumica prej informacioneve që kemi nuk janë vetëm brenda territorit të Kosovës por edhe të dëshmitarëve atje ne Shtavall”.

“Në maj të vitit 2023, ne kemi arritur të miratojmë një deklaratë në Bruksel, më 1 qershor në zbatim të kësaj deklarate, komisioni i ka dërguar letër Vuçiç-it për të hapur arkivat e ushtrisë përkatësisht të brigadës 37 që ka operuar në Drenicë”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, shtoi se as nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell e as nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, s’ka pranuar informacione se përse s’po zbatohet deklarata e 2 majit për personat e zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore