Lajme

Hoti, Kurtit: Marrëveshja e 2015 ka siguruar dërgimin në Kushtetuese të Asociacionit, e jotja autonomi për serbët


Avdullah Hoti

Avdullah Hoti, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se me marrëveshjen e vitit 2015 me Serbinë, që ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Isa Mustafa, është bërë në koordinim me partnerët dhe ka paraparë dërgimin në Kushtetuese të çdo drafti të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa ka shtuar se dakordimi që ka bërë Albin Kurti me Serbinë, me Marrëveshjen Bazë, e përmban autonominë për serbët.

Këto komente, Hoti i bëri përmes një shkrimi në Facebook, të titulluar “Nga Negociatat për Njohje të Ndërsjellë te Dorëzimi i Autonomisë”, pasi që Kurti goditi ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Mustafa, në lidhje me marrëveshjet e 2013-së dhe 2015-së.

Mirëpo, sipas Hotit, postimi i fundit i kryeministrit lidhur me marrëveshjet e kaluara është “hedhje hi syve” për qytetarët.

“Marrëveshja e vitit 2015 është bërë në dakordim me miqtë dhe ka siguruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çdo drafti të asociacionit.  Ndërkaq, marrëveshja e Kurtit e vitit të kaluar në Bruksel dhe Ohër e përmban autonominë për serbët”, shkroi Hoti.

Sipas ish-kryeministrit, moskoordinimi dhe përplasja me aleatët e ka sjellur Kosovën në situatën ku “nuk flitet më për marrëveshje finale me njohje reciproke, që ishte duke u negocuar nga qeveria paraprake”.

Fatkeqësisht, shtoi deputeti i LDK-së, “tani flitet për zbatim të Asociacionit që tanimë ka marr premisa të një autonomie”.

“Mashtrimet se: nuk ka dialog pa kërkim falje dhe kthimin e të pagjeturve, ka kushte për zbatim të Asociacionin dhe e mashtrime të tjera kanë dalë sheshit”, përfundoi ai.

Ndryshe, Kurti, në 11 vjetorin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë (19 prill, 2013), e nënshkruar nga ish-kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe ai serb, Ivica Daçiç, ka thënë se njëjta në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

Këto komente, Kurti i ka bërë në postim në Facebook. Ai kritikoi marrëveshjen e 2013, ndërsa nga ana tjetër u mburr me Marrëveshjen Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), që e ka dakorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, e cila, sipas Kurtit, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore