Lajme

Hoti kritikon Kurtin: Ligjëratat pretekst për të ikur nga Samiti i Tiranës


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto nga arkivi.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mospjesëmarrjen e tij në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Hoti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se rëndësia e këtij samiti është madhore.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se në këtë samit do të duhej angazhim i kreut të shtetit për të larguar sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.

“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”.

Madje, sipas tij, Qeveria Kurti do të duhej që të diskutonte me Qeverinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, para se të mbahej ky samit.

“Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mospjesëmarrjen në këtë samit.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kreu i ekzekutivit zgjodhi të mbajë ligjërata boshe në Irlandë të Veriut, në vend se ta shfrytëzojë mundësinë ku Kosova mund të përfitojë qindra-miliona euro investime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë do të marrë pjesë në Samitin Ballkani Perëndimor-Bashkimi Evropian, që do të mbahet këtë të enjte në Tiranë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, derisa ka njoftuar se shefi i tij, në këtë samit, do të marrë pjesë virtualisht.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, të enjten, do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, në të cilin do të diskutohet plani i rritjes, ku vendet pjesëmarrëse do të përfaqësohen në nivel presidentësh apo kryeministrash.

Në listën e pjesëmarrësve, që u publikua mbrëmjen e së mërkurës, mungonte emri i kryeministrit Kurti, aty figuronte se nga Kosova, përfaqësues do të ishte Lulzim Rafuna, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Samiti Ballkani Perëndimor-BE zhvillon punimet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore, që po ashtu u mbajt në Tiranë, ku edhe u miratua një deklaratë e përbashkët në mbështetje të plotë për Kievin zyrtar.

Kosova në samitin e së mërkurës, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore