Lajme

Hoti: Nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë


“Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”.

Ka qenë kjo përgjigja që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë ndaj deklaratës të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili u shpreh që Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, të paktën jo derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi në vitin 2022.

Në një postim të publikuar në media sociale, Hoti ka thënë se “Kosova mbetet  e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së”.

Me 4 shtator në Washington, palët janë zotuar për normalizimin ekonomik nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Procesi i dialogut ka filluar me 8 mars 2011, pas Rezolutës së Përgjithshme të Organizatës së  Kombeve të Bashkuara.

Që nga fillimi i procesit, trajta e tij ka ndryshuar nga dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialog për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore