Lajme

Hong Kong-u dhe jugu i Kinës luftojnë me përmbytjet nga shirat rekord


Hong Kong-u dhe qytetet jugore të Kinës po luftojnë me përmbytjet e përhapura pasi rajoni po përballon disa nga reshjet më të mëdha të shiut në histori.

Mësohet se rrugët dhe stacionet e metrosë u mbytën në ujë në Hong Kong dhe zyrtarët mbyllën shkollat dhe vendet e punës.

Byroja e motit ka bërë me dije se shirat, që filluan të enjten, janë më të mëdhatë që kanë goditur qytetin në gati 140 vjet.

Sakaq, autoriteteve u është dashur të kryejnë disa shpëtime, ndërsa fotografitë tregojnë banorët e zonës duke ecur nëpër rrugët e përmbytura.

Autoritetet e Hong Kong-ut kanë njoftuar se të paktën 83 persona janë dërguar në spital në 24 orët e fundit për shkak të motit të egër.

Po ashtu shiu ka shkaktuar edhe rrëshqitje të dheut duke bllokuar disa rrugë.

Autoritetet e motit lëshuan një paralajmërim të enjten mbrëma, të shkaktuar nga reshjet që kalonin 70 milimetra në orë.

Më vonë, observatori i Hong Kong-ut ka raportuar reshje shiu për orë prej 158.1 milimetrash, më e larta që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1884.

Videot në mediat sociale treguan shiun që rrjedh nëpër qytet, duke i kthyer rrugët në lumenj të furishëm dhe njerëzit që ngjiteshin mbi makina dhe platforma të tjera të ngritura për t’i shpëtuar ujërave.

Shiu i madh ka përmbytur gjithashtu Kinën jugore, me qytetin Shenzhen – përtej kufirit me Hong Kong-un – duke raportuar shirat më të mëdhenj që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1952.

Ndërkohë, qindra fluturime janë pezulluar në provincën më të gjerë Guangdong, teksa autoritetet lokale paralajmëruan për përmbytje të shpejta dhe këshilluan banorët në zonat e ulëta të konsiderojnë evakuimet.

Dhjetëra miliona njerëz jetojnë në zonat bregdetare të dendura të populluara të Kinës jugore.

Në Hong Kong, tuneli kryqëzor i qytetit, një rrugë kyçe që lidh ishullin kryesor me gadishullin Kowloon në veri të tij, u përmbyt gjithashtu.

Më shumë se 200 milimetra shi u regjistruan në ishullin e Hong Kong-ut, Kowloon dhe pjesën verilindore të qytetit midis orës 18:00 me orën lokale dhe mesnatës – një total që tejkalon sasinë që merr zakonisht i gjithë qyteti brenda disa kohësh.

Ndërkaq, Shenzhen thuhet se po përgatitej të shkarkonte ujin nga rezervuarët e tij, gjë që zyrtarët e Hong Kong-ut paralajmëruan se mund të çonte në përmbytje në pjesë të Hong Kong-ut verior.

Administrata meteorologjike e Kinës pret që reshjet ekstreme të shiut të vazhdojnë të premten dhe të shtunën në rajonin jugperëndimor të vendit.

Reshjet e fundit vijnë më pak se një javë pasi dy tajfunë, Saola dhe Haikui, goditën me shpejtësi Kinën jugore.

Ata shkaktuan gjithashtu një mbyllje në mbarë qytetin në Hong Kong.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore