Lajme

Historiani anglez tregon se si egomaniaku Putin po bën gabimin e njëjtë si Hitleri


Vladimir Putin rri mendueshem

Derisa Vladimir Putin rri këmbëkryq në Kremlin, duke e parë dështimin e tij për ta pushtuar Kievin në vetëm pak ditë, siç një herë e mendonte, nuk dihet nëse ai e kupton vërtet se çfarë realisht po ndodhë 800 kilometra në jug-perëndim të Moskës.

Një burrë i fiksuar pas historisë, shkruan The Telegraph, Putin së shpejti mund ta kuptojë se si e ka sjellë veten në një pozicion jo aq të ndryshëm nga një tjetër egomaniak, Adolf Hitler.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Putin nuk po merr një vlerësim të sinqertë të situatës në terren nga gjeneralët e tij. Në të njëjtën kohë, ata nuk janë plotësisht të sigurt se kush është në të vërtetë duke i tërhequr fijet në Moskë.

Mund të jetë që një grusht gjeneralësh po e bëjnë luftën nga Moska, ose mund të jetë që vetë Putini po i jep urdhrat – duke kërkuar të pamundurën në kohën kur nuk e ka as të gjithë informacionin për situatën.

Ndryshe nga të qëndruarit në krye të piramidës, ai mund të jetë në qendër të gjithckaje dhe njeriu i vetëm me autoritetin për ta drejtuar luftën derisa nuk e ka informacionin e duhur.

Nëse po, dhe nëse ish-agjenti i KGB-së me të vërtetë kërkon të pamundurën nga stafi i tij, atëherë ai po e përsëritë gabimin e despotit më të keq të shekullit të 20-të.

Kjo nuk është hera e parë që Kievi e gjen vetën në qendër të zhvillimeve botërore. Në vitin 1941 ishin dy diktatorë, Hitleri dhe Josef Stalin, që luftonin për kryeqytetin e Ukrainës.

Katër vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shumë oficerë gjermanë që i kishin shpëtuar luftës tregonin se si Hilteri kishte bërë një gabim kapital në vjeshtën e vitit 1941.

Kur Wehrmacht (forcat e armatosura gjermane) u futën në Ukrainë në kuadër të Operacionit Barbarossa, një numër i madh forcash sovjetike ishte vendosur në Kiev dhe rrezikonte grupin e forcave gjermane që ia kishin mësyrë Moskës.

Në të njëjtën kohë, tregon Sir Richard J. Evans, historian i Gjermanisë Naziste, Hilteri ishte i obsesionuar me kapjen e furnizimeve me ushqime të sovjetikëve për t’i çuar ata në uri dhe në anën tjetër për të siguruar mjaftueshëm për vete që të mos u ndodhte ajo që u ndodhi në Luftën e Parë Botërore, kur kolapsuan nga brenda në mungesë ushqimi.

Por, gjeneralët e tij kërkonin që dëshpërimisht të shkonin sa më parë në Moskë duke besuar se do të ishin ata që do çonin në rënien e Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, kur udhëheqësi i ushtrisë gjermane, Walther von Brauchitsch, sugjeroi se fokusi duhej të ishte kryeqyteti sovjetik, Hilteri e çartoi duke i thënë se “vetëm një i pamend do të jepet një propozim të tillë”.

Përfundimisht, diktatori e ndau ushtrinë e tij dhe një numër të madh të tyre e çoi në Kiev, derisa pjesën tjetër në Moskë.

Gjeneralët e tij i pranuan urdhrat, por prapë mbetën të pabindur. Sipas David Glantz, historian i ushtrisë, Franz Halder, shef i stafit në Komandën e Lartë Ushtarake Gjermane, ishte ankuar shumë pas luftës që plani i Hitlerit ishte “utopik dhe i papranueshëm”.

Në shikim të parë, doli se Hitleri kishte të drejtë. Beteja për Kievin rezultoi në rrethimin më të madh të forcave armike të parë ndonjëherë, me gjermanët që kapën më shumë se 450,000 ushtarë sovjetikë. Megjithatë, javë më vonë, kur forcat gjermane arritën në periferi të Moskës, gjeneralët e Hitlerit u bindën se gjithçka ishte një gabim.

Jo shumë ushtarë shkuan në Moskë, sepse një pjesë e madhe mbeti në Kiev, dhe duke mos qenë edhe të papajisur si duhet ata u ndalën nga sovjetikët.

Ushtria e Kuqe i stopoi  gjermanët dhe i kthej prapa.

Nje ushtar rus duke vrapuar afer nje tanku gjerman te shkaterruar ne betejen e Kievit ne Luften e Dyte Boterore

“Ushtarët e Wehrmacht, me rroba verore, vuajtën tmerrësisht. Gjeneralët gjermanë, ndërkohë, pësuan infarkt dhe u sëmurën. Ishte një situatë katastrofike për gjermanët”, shpejgon Sir Evans.

Por, rreth 650 kilometra në perëndim të frontit në Poloninë lindore, “Führer-i”, ashtu si Putini në shkurt të këtij viti, priste që armiku të binte shpejt përpara një sulmi të furishëm. Kur rezultoi se nuk ishte kështu, ai shkarkoi zyrtarët e tij kryesorë të ushtrisë, duke i bërë fajtorë ata dhe mori në dorë krejtësisht vetë operacionin.

Derisa lufta vazhdonte dhe shihej se do përfundojë në një katastrofë për gjermanët, Hitleri “u bë edhe më i paparashikueshëm”, thotë Sir Richard, kurse “gjeneralët ushtarakë shqetësoheshin gjithnjë e më shumë, deri në momentin kur njëri prej tyre vendosi t’i fus një bombë”.

Hitleri ishte një strateg i tmerrshëm lufte, shpjegon Sir Richard. “Ai mendonte se vetmja gjë që duhet të bëhet është; kur gjërat shkojnë mirë, sulmo sa më shumë, dhe kur gjërat shkojnë keq thjesht rezisto deri në njeriun e fundit”.

Marrë parasysh të gjitha analizat për ushtrinë e Rusisë para luftës, është provuar se modernizimi i ushtrisë asnjëherë nuk ka ndodhur dhe se forcat ushtarake janë pak a shumë ato që ishin në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe me taktika të njëjtë ku urdhrat jepen nga lartë dhe ato zbatohen fjalë për fjalë pa kurrfarë vendimmarrje në terren në varësi të situatave të luftës.

As në ditët në vazhdim nuk ngjan se do të kthejnë gjërat për mirë. Putin, vetëm apo me një grusht gjeneralësh, me qindra kilometra larg dhe pa kurrfarë sensi të situatës në terren, jep urdhra që ushtrinë ruse po e dërgojnë drejt shkatërrimit të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore