Lajme

Historia e kampit të personave të zhvendosur, Santa Maria Di Leuca


Për hebrenjtë, të cilët i mbijetuan Holokaustit, fundi i Luftës së Dytë Botërore solli sfida të reja.

Shumë nuk mundeshin ose nuk donin të ktheheshin në vendlindjet e tyre të mëparshme, ndërsa mundësitë për emigrim të ligjshëm ishin të kufizuara.

Përkundrejt këtyre vështirësive, të mbijetuarit hebrenj u përpoqën të rindërtonin jetën e tyre të shkatërruar.

Sakaq, ata krijuan bashkësi të lulëzuara në kampet e personave të zhvendosur në Gjermani, Austri dhe Itali.

Në një periudhë gjashtëvjeçare, midis viteve 1945 dhe 1951, jeta e hebrenjve evropianë u rilind në kampe të tilla si Santa Maria di Leuca.

I vetmi kamp i përzier me të zhvendosur (hebrenj dhe jo-hebrenj) në Itali ishte vendosur në qytetin e peshkimit dhe vendpushimin e Santa Maria di Leuca.

Kampi përfshinte refugjatë nga Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia.

Megjithëse Komiteti i Përbashkët i Shpërndarjes të Hebrenjve Amerikan vlerësoi se kapaciteti i kampit ishte 1 mijë e 800 njerëz, popullsia rregullisht e tejkalonte këtë shifër.

Banorët e kampit përfshinin afërsisht 400 johebrenj, ndërsa vetë refugjatët hebrenj u ndanë: gjysma ishin të paafilizuar dhe gjysma e kampit ishin anëtarë të “kibbutzim”, komuniteti i veçantë i Kibbutz Aviv.

Jeta në kamp

Të gjithë personat e zhvendosur jetonin në vila, që kishin qenë shtëpitë verore të italianëve të pasur.

Si në kampin e afërt të personave të zhvendosur të Santa Maria di Bagni, di Leuca mburrej me një trupë të jashtëzakonshme teatri dhe një shkollë për fëmijë.

Megjithëse trajnimi profesional kritikohej shpesh në di Leuca për ngecjen pas kampeve të tjera italiane, skuadra e futbollit të kampit arriti një reputacion si skuadra më e suksesshme në kampet e jugut italian.

Dokumentar

Në vitin 2015, doli një film rreth kampit të personave të zhvendosur në Santa Maria di Leuca, i titulluar “Brigjet e Dritës”.

Dokumentari paraqet historinë e tri grave izraelite, të lindura në kamp, ​​të cilat vendosën të kthehen për të mësuar në lidhje me përvojat e prindërve të tyre.

Regjisori Yael Katzir shprehet se, “filmi thur pamje të rralla historike me dëshmi unike aktuale që kapin një rreze drite pas errësirës së madhe”.

Përshtatur nga Muzeu Memorial i Holokaustit në SHBA për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore