Lajme

Historia e Dawling, lojtarit britanik të regbit që erdhi në luftë: Në Kosovë pashë pikën më të ulët të ndjeshmërisë njerëzore


Andy Dawling

Në një artikull të revistës britanike “The Times” vjen rrëfimi i ish-lojtarit profesionist të regbit, Andy Dawling, i cili, 25 vjet më parë, erdhi në Kosovë në kuadër të forcave britanike të NATO-s. Ai tregoi për tmerrin që përjetoi gjatë luftës në Kosovë, kur nga afër kishte parë mizoritë e kryera nga njësiteve policore e ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë të pambrojtur.

Dawling në mars erdhi sërish në fshatin Arllat të Drenasit, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, në vendin ku, 25 vjet më parë, përjetoi një skene aq të tmerrshme sa do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë. Rrëfimi i Dawling (50 vjeç) për ngjarjet në Kosovës është edhe pjesë e procesit të rehabilitimit nga simptomat e çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).

Ai zbuloi një pllakë përkujtimore për nder të kujtimit të civilëve që mbeten viktima nga shpërthimi i bombave thërmuese të paeksploduara të NATO-s pas fushatës ajrore kundër Serbisë. Dawling, i cili tani punon për klubin ‘Saracens’ në ligën elitare të regbit, duke folur për kujtimet përndjekëse, theksoi se në Kosovë pa stadin më të ulët të ndjeshmërisë njerëzore.

Dawling, dy ditë pas kalimit në Kosovë, evidentoi fushatën serbe të spastrimit etnik: “Një nga miqtë – një lojtar i regbit, një djalë nga Gloucesteri – shkoi drejt varrezës masive në këtë fshat të vogël”, vazhdon rrëfimin Dawling. “Ai u kthye në Mbretërinë e Bashkuar dhe pastaj u kap duke u përpjekur të vriste veten. Kosova po e shihte njerëzimin në rastin më të keq”.

Më 12 qershor do të hynin në Kosovë trupat e para të NATO-s, të cilët erdhën nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërkaq lufta në Kosovë përfundoi pas 14 muajve. “Në Kosovë, bëmë gjënë e duhur – jam 100 për qind i sigurt”, tha ai. “Atje ndodhi spastrim etnik, një milion refugjatë dhe krime lufte”, kujtoi Dawling.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore