Lajme

Hilma af Klint, pionierja e artit abstrakt


Njerëzit kanë dëgjuar për Hilma af Klint, artisten suedeze të shekullit të XX-të.

Por bota e artit e ka injoruar dhe ajo mezi ka shitur një vepër të vetme.

Thuajse 80 vjet pas vdekjes, ajo ka gjetur njohjen si një artiste vizionare, një pioniere e artit abstrakt.

Këtë muaj do të publikohet një studim me shtatë vëllime dhe një biografi për të. Po ashtu Tate Modern po planifikon një ekspozitë në vitin 2023 dhe një regjisor i nominuar për Oscar ka bërë një film për të.

Af Klint besonte se abstraktet e saj ishin pikturuar nën drejtimin e shpirtrave më të lartë dhe se bota nuk ishte plotësisht e gatshme për artin e saj radikal.

Por ndoshta nuk e kishte parashikuar kurrë një vlerësim të tillë pas vdekjes.

Ajo zhvilloi një fjalor trekëndëshash, katrorësh, rrathësh dhe spiralesh përpara se Wassily Kandinsky, Piet Mondrian dhe Kazimir Malevich të deklaroheshin si shpikës të abstraksionit.

Teksa Kandinsky pretendonte se kishte krijuar pikturën e parë abstrakte në vitin 1911, Af Klint e kishte bërë në vitin 1906.

Interesi për punën e saj u rrit pas një shfaqjeje të vitit 2016 në galerinë Serpentine në Londër, e cila u transferua në muzeun Guggenheim në New York.

Rekordet e atjeshme të frekuentimit u thyen me rreth 600 mijë vizitorë.

Lindur në Stokholm në vitin 1862, Af Klint studioi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura, duke u diplomuar me nderime në vitin 1887.

Por ajo u shkëput nga pikturimi i portreteve konvencionale, peizazheve dhe studimeve botanike.

Gjeti frymëzim në misticizmin dhe spiritualizmin e teozofisë dhe antroposofisë. Ajo mori pjesë në tubime shpirtërore me katër shoqe, ​​duke eksploruar sferat shpirtërore përmes meditimit dhe seancave.

Duke besuar se mund të komunikonin me qenie mistike, ato transkriptuan mesazhet e tyre përmes shkrimit dhe vizatimit automatik, eksperimente që i paraprinin surrealistëve me dekada.

Daniel Birnbaum, kuratori i Serpentine, ka treguar se teozofia dhe antroposofia “duken të çuditshme sot”, por ato ishin në modë asokohe.

“Këto mënyra të angazhimit shpirtëror ishin pjesë të njohura në qarqet artistike në të gjithë Evropën, pasi njerëzit kërkonin të pajtonin besimet fetare me përparimet shkencore dhe me një vetëdije të re për pluralitetin fetar”, ka thënë ai.

Artistja, sipas tij, “gjeti forca abstrakte në natyrë” dhe ndërkohë që punonte në seri, kishte një ëndërr të parealizuar për të ndërtuar tempullin e saj, një ndërtesë ose ndoshta një tempull të brendshëm.

“E gjitha ka të bëjë me interesin e saj për teozofinë dhe antroposofinë… ka për qëllim të bëjë të vërteta më të larta të dukshme dhe jo gjërat që shohim me syrin tonë fizik”, ka vijuar ai.

Meqë Af Klint nuk shiti asgjë, thuajse të gjitha 1 mijë e 500 pikturat dhe vizatimet e saj janë në një vend të vetëm, në Stokholm, të mbajtura së bashku nga një fondacion i krijuar nga një anëtar i familjes.

Për Birnbaum është një gjë e çuditshme që një fondacion zotëron 99 për qind të gjithçkaje.

Sakaq, një biografi e re e saj e shkruar nga historiania e artit Julia Voss, sapo është publikuar. Kurse një film, nga regjisori suedez Lasse Hallström, do të dalë këtë muaj.

I titulluar “Hilma”, ai është një film biografik në gjuhën angleze për një artiste që e sheh botën në një mënyrë tjetër dhe që fillon “një kërkim të palëkundur për të vërtetën rreth njerëzimit dhe universit në një kohë kur njerëzit vendosën të gjitha rregullat”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore