Kosova

Hill: Pala serbe u përgatit shumë, qëllimi i tyre ishte përparimi në dialog


Christopher Hill

Ndonëse Christopher Hill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur i zhgënjyer me epilogun e takimit të fundit ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel, ai është shprehur se ka parë rezultate pozitive nga takimi i ditës së enjte.

Sipas diplomatit veteran, SHBA-të dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë në raport me dialogun dhe se “klima mes partnerëve është e mirë”.

“Ishte një ditë shumë e gjatë në Bruksel, ka pasur shumë diskutime, takime, negociata. Është e kuptueshme se të gjithë janë zhgënjyer nga epilogu i takimit dhe nga mos-zgjidhja e çështjeve afatshkurtra dhe afatgjata”, ka thënë Hill.

Për Hill, pala serbe ka shkuar në bisedime me një frymë pozitive.

“Ata punuan shumë për këtë çështje, u përgatitën për të biseduar dhe negociuar, në mënyrë që të bënin përparim”, ka shtuar ai.

Janë dashur dy raunde takimesh trepalëshe (Kosovë, Serbi, BE) takime veç veç (Kryeministri Albin Kurti dhe Josep Borell e Miroslav Lajcak) dhe (Aleksandër Vuçiç, Josep Borell e Miroslav Lajçak), dhe pesë orë bisedime në një dhomë të Komisionit Evropian, por rezultati ka qenë, pajtimi për një tjetër takim, i cili, megjithatë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Takimi i Kurtit me Vuçiç e ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian ishte i treti (përfshirë dhe atë jo formal në Berlin).

Por, palët, siç u kumtua nga Borell, nuk e arritën mesin as pas 300 minutash bisedë pasi pozicionet fillestare ishin skajshmërisht të kundërta.

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore