Lajme

Hidrogjeni mund të trondisë gjeopolitikën e deritanishme


Status quo-ja gjeopolitike, që ka qeverisur për më shumë se një shekull sistemet globale të energjisë, ka të ngjarë të tronditet nga kalimi në energjinë me karbon të ulët.

Nicola de Blasio dhe Fridolin Pflugmann, nga qendra e kërkimit Belfer, kanë thënë për Institutin Italian të Studimeve Politike Ndërkombëtare (ISPI) se, marrë shkas nga kjo, politikëbërësit duhet të rimendojnë rolin që vendi i tyre mund të luajë në një botë të re të energjisë.

“Burimet e rinovueshme janë perceptuar gjerësisht si një mundësi për të shkatërruar hegjemoninë e shteteve të pasura me lëndë djegëse fosile dhe për të demokratizuar peizazhin e energjisë”, kanë thënë ata.

Kjo, pasi thuajse të gjitha vendet kanë qasje në disa burime të rinovueshme me në veçanti atë diellore dhe të erës.

Kështu mund të zëvendësojnë furnizimin e huaj me burime vendase.

Hulumtimi, që kanë kryer dy studiuesit, tregon se ka të ngjarë që roli që vendet mund të marrin në sistemet e karbonizuara të energjisë do të bazohet jo vetëm në burimet e tyre, por edhe në zgjedhjet e tyre të politikave që do të ndjekin.

“Hidrogjeni i rinovueshëm po shijon vrullin në rritje të politikës dhe biznesit, si një transportues i gjithanshëm dhe i qëndrueshëm i energjisë me potencialin për të luajtur një rol kryesor në tranzicionin global drejt një ekonomie me karbon të ulët dhe që shpesh përshkruhet si ‘hallka që mungon’ në dekarbonizimin global”, shkruajnë de Blasio dhe Pflugmann.

Studiuesit theksojnë se është më tepër me rëndësi kur flitet për sektorët intensivë të energjisë në të cilat emetimet janë të vështira për t’u normalizuar dhe ku elektrifikimi nuk është zgjedhje e parapëlqyer të tilla, si prodhimi i çelikut, aviacioni apo transporti.

Për ta, duke e bërë hidrogjenin e rinovueshëm në të ardhmen pjesë të rëndësishme të përzierjes së energjisë, do të ndihet nevoja edhe për politika të reja dhe inovative si në rrafshin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.

Kjo teksa zhvillohen strukturat e duhura të tregut që synojnë nxitjen e inovacionit, duke ulur ndjeshëm kostot përmes teknologjisë dhe vendosjes së infrastrukturës mundësuese në çdo shkallë të tregut.

“Suksesi është i mundur, por kjo përpjekje transformuese do të kërkojë një koordinim të ngushtë midis politikës, teknologjisë, kapitalit dhe shoqërisë për të shmangur rënien në kurthet dhe jo-efikasitetet e së kaluarës”, janë shprehur autorët e studimit.

Mbi përdorimin e hidrogjenit të rinovueshëm, ata thonë se mund të jetë i pranishëm si në lëvizshmëri edhe në aplikimet e palëvizshme. Ai mund të furnizojë me qeliza karburanti makinat elektrike ose të jetë bazë për karburantet sintetike. Ndërsa në ato të palëvizshme mund të përdoret për të ruajtur energjinë e rinovueshme, brenda dhe jashtë rrjetit, duke siguruar rezerva.

“Nga një perspektivë gjeopolitike, nëse sistemet e ardhshme të energjisë së rinovueshme të hidrogjenit do të jenë aq të përqendruara sa furnizimi i sotëm i naftës dhe gazit apo të decentralizuara si burimet e ripërtërithshme, lidhen fort me strukturat e ardhshme të tregut, teknologjinë dhe mundësimin e disponueshmërisë së infrastrukturës”, shkruajnë te ISPI, de Blasio dhe Pflugmann.

Mirëpo, hulumtuesit sqarojnë se roli që një vend do të mund të luajë në tregjet e hidrogjenit të rinovueshëm do të varet nga aftësia e tij për të prodhuar dhe shpërndarë koston e tij në mënyrë konkurruese dhe të ndarë në shkallë.

Nga ana tjetër, prodhimi i hidrogjenit të rinovueshëm përmes elektrolizës kërkon si energji të rinovueshme edhe burime të ujërave të ëmbla. Dhe për të analizuar potencialin e ripërtëritshëm të hidrogjenit të një vendi duhet të konsiderohet tre parametra.

Sipas tyre, këto parametra janë “potenciali i burimeve të energjisë së ripërtëritshme, burimi i ripërtëritshëm i ujërave të ëmbla dhe potenciali i infrastrukturës, i përcaktuar si kapaciteti i një kombi për të ndërtuar dhe operuar infrastrukturën e prodhimit, transportit dhe shpërndarjes së hidrogjenit të rinovueshëm”.

Ata parashikojnë që vendet në të ardhmen do të marrin role specifike në sistemet e ardhshme të hidrogjenit të rinovueshëm dhe mund të ndahen në pesë grupe.

“Vendet me potenciale të mëdha të burimeve të ripërtëritshme dhe ujërave të ëmbla, si dhe potencial të lartë të infrastrukturës, të tilla si Australia dhe Maroku, janë të pozicionuara mirë për  të dalë si ‘kampionë eksporti’ falë pozicioneve të tyre superiore dhe të kostos dhe hyrjes në tregjet e mëdha të importit”, ravijëzon de Blasio dhe Pflugmann.

Më poshtë gjenden vendet që kanë burime të ripërtëritshme të energjisë në mënyrë të bollshme, por burime të kufizuara të ujërave të ëmbla. Kjo ul gjasat e tyre për t’u bërë eksportues të mëdhenj.

Grupi tjetër përfshin ato vende që do të duhet të importojnë hidrogjen të rinovueshëm për shkak të potencialit të tyre të kufizuar të ripërtëritjes ose disponueshmërisë së tokës. Këtu përfshihet Japonia dhe pjesë të ndryshme nga Bashkimi Evropian që aktualisht janë të varur nga importet e energjisë. “Prandaj dhe varësitë energjitike të këtyre vendeve mund të përjetësohet edhe në të ardhmen”, thonë autorët.

Studimi pozicionon në grupin e katërt gjendet vendet që kanë potencialin e burimeve të ripërtëritshme dhe të ujërave të ëmbla për të kënaqur kërkesat e tyre lokale për hidrogjen të rinovueshëm nëpërmjet prodhimit vendas. Kështu që mund të plotësojnë prodhimin e brendshëm me importe për shkak të vlerësimeve të kostos.

Në grupin e fundit janë vendet që kanë qasje të gjerë në burimet e rinovueshme, por që sipas studiuesve nuk kanë gjasa të jenë në gjendje të ndërtojnë infrastrukturën e kërkuar në shkallë.

“Sa më e madhe të jetë toka, aq më komplekse dhe e kushtueshme është të vendosësh një infrastrukturë kohezive kombëtare, kështu që, një alternativë e mundshme për këto vende është prodhimi i hidrogjenit në zona më të vogla jashtë rrjetit”, tregojnë ata.

Në bazë të rezultateve të nxjerra nga kërkimi, ilustrohet se si një tranzicion global në teknologji me karbon të ulët nuk mund të ndryshojë pozicionin gjeopolitik të vendeve importuese me mbështetjen e tyre te lëndët djegëse të huaja fosile. Ato thjesht zëvendësohen nga varësia e furnizimeve të huaja të energjisë së rinovueshme.

“Realitetet e ardhshme gjeopolitike të vendeve me burime të varfra në Evropë dhe Azinë Juglindore mund të jenë shumë të ngjashme me ato të sotmet dhe do të vazhdojë varësia nga importi i energjisë”, parashikojnë studiuesit.

Ata vazhdojnë se “në të njëjtën kohë, Lindja e Mesme është thuajse e sigurt që do të luajë një rol më pak të shquar në tregjet e ardhshme të hidrogjenit të rinovueshëm se sa në tregjet e sotme të naftës…si rezultat, interesi politik ndërkombëtar në rajon mund të zvogëlohet dhe të zhvendoset në rajone si Afrika e Veriut”.

Autorët sugjerojnë se “kampionët e eksportit” duhet të përcaktojnë politikat për të nxitur inovacion dhe investime në infrastrukturë. Kjo duke i hapur rrugë një pozicionimi më dominues në tregjet e ardhshme.

Nga ana tjetër, importuesit mund të përfitojnë nga bashkëpunimi i zgjeruar me eksportuesit për të vendosur standarde ndërkombëtare lidhur me hidrogjenin e rinovueshëm. Gjithashtu qeveritë e këtyre vendeve do të duhet të përcaktojnë strategji afatgjata të hidrogjenit duke përfshirë edhe opsionet e diversifikimit të furnizimit. Dhe për studiuesit, ndikimi i mundshëm i ndërprerjeve në furnizimin me hidrogjen varet nga sa global do të jetë tregu.

“Politikëbërësit, investitorët dhe aktorët e tjerë të interesuar, duhet të vlerësojnë implikimet ekonomike, mjedisore dhe gjeopolitike të hidrogjenit të rinovueshëm dhe të shqyrtojnë mënyrat e mundshme të veprimit”, thonë de Blasio dhe Pflugmann.

Ata shtojnë se “nevojitet një kuptim më i thellë i këtyre dinamikave të sapolindura në mënyrë që politikëbërësit dhe investitorët të mund të lundrojnë më mirë në sfidat dhe mundësitë e një ekonomie me karbon të ulët, duke shmangur kurthet dhe jo-efikasitetet e së kaluarës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore