Sport

Hernan Crespo ka një mesazh për ish-klubin e tij, Milan-in


Ish-sulmuesi i skuadrës së Milan-it, Hernan Crespo, në një intervistë të dhënë për Gazzetta dello Sport, është ndalur duke komentuar për skuadrën e Milan-it.

Ai përkujton kohën e lavdishme sa ishte sulmues i kuqezinjve, derisa ndalet te një moment i hidhur, ai i finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2005, ku Milan-i u mposht nga Liverpool-i, në njërën ndër ndeshjet më dramatike në historinë e futbollit.

“Në finalen e Stambollit shënova dy herë. Në fund të pjesës së parë ishim duke fituar me rezultat 3:0, më pas ndodhi rikthimi befasues dhe në fund humbëm në penallti. Nuk do ta harroj kurrë atë natë”, tha Hernan Crespo.

Tani, skuadra e Milan-it do të marrë pjesë në edicionin 2021/22 të Ligës së Kampionëve dhe shorti bëri që këto skuadra të ndajnë grupin e njëjtë.

Dhe, pikërisht në ndeshjen e parë italianët do të përkujtojnë finalen e 2005-tës, pasi që përballë do të kenë Liverpool-in.

Crespo shpreson që ish-ekipi i tij të hakmerret për atë natë të paharrueshme në Stamboll.

“Kjo ndeshje do të thotë se një plagë po hapet për mua. Keni parë kalendarin, ndeshja e parë është Liverpool – Milan. Unë iu bëjë një apel djemve të Piolit: mundeni Liverpool-in në ‘Anfield’ dhe tregojuni se kush është Milan-i në të vërtetë”, shtoi argjentinasi.

Mirëpo, kjo nuk ishte ndeshja e fundit e këtyre dy skuadrave në Champions. Ato u takuan në vitin 2007 përsëri në finale, në të cilën Milan-i u hakmor ndaj Liverpool-it, duke i mposhtur me shifrat 2:1.

“E di që në vitin 2007 kuqezinjtë u hakmorën për atë humbje të tmerrshme, por përsëritja e superioritetit të tyre nuk do të ishte e dëmshme”, shtoi Crespo.

Në fund Crespo nuk e lë pa e komentuar edhe skuadrën momentale të kuqezinjve, duke thënë se janë favorit për të fituar kampionatin italian.

“E shoh një ndër kandidatët kryesorë për Scudetto. Stefano Pioli ka krijuar një grup të mirë me lojtarët e tyre. Ata kanë bërë një merkato inteligjente. Në anën tjetër, shoku im Maldini di shumë për futbollin dhe nëse shikoni grupin që ka bërë, mendoj se janë një skuadër cilësore”, tha mes tjerash Hernan Crespo.

Kujtojmë që Crespo luajti vetëm në atë sezon të vitit 2005 me Milan-n. Ai realizoi 40 paraqitje me kuqezinjtë, prej të cilave ka shënuar 17 gola.

46-vjeçari, tani është trajner futbolli dhe aktualisht është duke drejtuar skuadrën braziliane, Sao Paolo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore