Lajme

Haxhiu pret një delegacion nga Komisioni i Venecias, diskutojnë për Byronë për konfiskimin e pasurisë


Albulena Haxhiu në takim me një delegacion nga Komisioni i Venecias

Tema e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Kosovë, ishte kryefjala e takimit në mes të një delegacioni nga Komisioni i Venecias dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këtë të mërkurë.

“Qëllimi i takimit ishte diskutimi i Projektligjit për Themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në prag të përgatitjes së Opinionit për këtë Projektligj”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Më tej njoftimi i Ministrisë bënë të ditur se, Haxhiu, ka njoftuar delegacionin e Komisionit të Venecias për qëllimin e Projektligjit dhe ka argumentuar në secilën çështje që është adresuar nga ta.

“Ministrja Haxhiu falënderoi delegacionin e Komisionit të Venecias për ndihmën profesionale që po i ofrojnë Republikës së Kosovës përmes opinioneve. Konsultimet me Komisionin e Venecias janë tejet të vlefshme dhe si të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.

Muaj më parë Albanian Post, pati trajtuar temën e Byrosë për konfiskimin e pasurisë, me njohësit e çështjeve ligjore. Të cilët kishin argumentuar se Byroja në fjalë mund të shndërrohet në një organ politik, pasi sipas tyre zgjedhja e drejtorit të këtij institucioni do të bëhet me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, e si rrjedhojë një gjë e tillë shkakton një nivel të ulët të objektivitetit.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 29 dhjetor të vitit të kaluar ka arritur ta miratoi Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, e cila të mërkurën e dy shkurtit me 7 vota pro dhe 2 abstenim kaloi edhe në Komisionin për Legjislacion.

Për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Byroja në fjalë do të jetë në funksion dhe konsolidimit të shtetit.

“Ky projektligj ka për qëllim se në rast se Byroja vlerëson qe dikush ka pasuri e cila është e pajustifikueshme kërkon nga ai zyrtar, arsyetimin e parasë. Një nga debatet e shumta që është bërë në këtë drejtim ka qenë që kinse Byroja do ta konfiskojë pasurinë, por kjo nuk është e vërtetë, këtë e bën Gjykata Themelore në Prishtinë”, kishte deklaruar Haxhiu në Komisionin për Legjislacion.

Haxhiu, madje është zotuar se projektligji e përpiluar do të pamundësojë ndikimin e politikës në këtë institucion.

“Ky institucion nuk ka kompetenca hetuese por verifikuese. Ne frikën nuk mundem me ja heq askujt, por të punojmë së bashku që të bëjmë ligjin e mirë”, kishte shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore