Lajme

Haxhiu për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit: Të jetë transparente dhe meritore


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën vjetore të prokurorëve.

Të premten e 11 shkurtit, është mbajtur Konferenca Vjetore e Prokurorëve, me ç’rast është vlerësuar lartë puna e këtij institucioni.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në këtë konferencë lidhur me procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ka thënë se duhet të jetë proces transparent dhe meritor.

“Zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit është përtej Këshillit Prokurorial sepse ka jehonë e ndikim si brenda ashtu edhe jaht vendit. Sigurohuni që ky proces te jetë transparent, i drejtë, profesional dhe meritor. Faleminderit për punën e mirë që keni bërë. Ministria e Drejtësisë është e gatshme të kontribuojë dhe avokojë për ju. Fati i qytetarëve është në duart tona”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë kësaj konference ajo i është drejtuar prokurorëve duke u thënë se duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë objektive dhe të pavarur.

“Duhet të keni parasysh parimet qe do te ju udhëheqin gjatë punës suaj. Ushtrojeni detyrën tuaj në mënyrë objektive dhe të pavarur. Nuk ka më mirë se qytetarët të ju njohin për punën e ndershme dhe profesionale, dhe për guximin”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën vjetore të prokurorëve.

“Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i pa prekshëm dhe se të gjithë janë te barabartë para ligjit. Ju duhet të dëshmoni që nuk ju interesojnë emrat e përvetshëm por veprat që kanë bërë”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu, ka apeluar që të bëhen të ditura të gjitha rastet e dhunës, në mënyrë që të parandalohen.

“Të mos keni asnjë tolerancë për veprat që kanë të bëjnë me dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore”.

Lumezi në Konferencë Vjetore: U zgjodhën më shumë se 50 mijë lëndë penale, u arrestuan shumë grupe kriminale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë kësaj konference bëri të ditur numrin e lëndëve penale që kanë arritur t’i zgjedhin gjatë këtyre pesë viteve.

“Nga intensiteti i sfidave kemi treguar se jemi të gatshëm në te gjitha situatat. Nuk ka dilema se në periudhë shkurtët është bërë punë e madhe. Gjatë vitit të kaluar kemi zgjedhur mbi 50 mijë lëndë penale”, deklaroi Lumezi.

Ai shtoi se janë ndërmarrë edhe masa me zbardhjen e veprave më të rënda penale.

“Janë privuar nga liria shumë grupe kriminale aksioni i subvencioneve, aksioni mbi 400kg kokainë, rasti “Brezovica”, rasti i vjedhjes së thesarit e kështu më radhë. Puna ekipore e prokurorëve ka dërguar porosi të qarta se nuk mund te vihen mbi institucionet e shtetit”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në konferencën vjetore të prokurorëve.

Sipas tij, shteti i Kosovës me zgjidhjen e veprave të tilla bëhet shtet më i besueshëm.

“Gjate vitit të kaluar me aktgjykime janë zgjedhur më shumë se 90 për qind e rasteve. Ne jemi të vetëdijshëm se rreziqet nuk mund të zgjidhet nga një shtet i vetëm prandaj kemi rritur bashkëpunimin ndërkombëtar. Kemi zgjidhur 231 kërkesa. Jemi dëshmitar se kemi arritur rezultate të dukshme”.

Lumezi shtoi se, “marrëdhënia me media ishin nevojë e kohës. Do të ishte e padrejtë të mos përmendej se sistemi prokurorial është disa hapa përpara dhe kemi vlerësime nga pushtete tjera. Prokurori duhet të ketë qëllim kryesor luftimin e korrupsionit”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e parë të mbajtur më 11 janar të vitit 2022, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo për arsyeje se Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore