Lajme

Haxhiu, Kurtit: Po pate guxim, nise Ushtrinë në Veri


Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dy zgjidhje sa i përket situatës në Veri të Kosovës, pas kidnapimit të tre policëve nga xhandarmëria serbe.

Haxhiu potencoi se “Kryeministrit i takon të vendosë në mes të partneritetit me miqtë dhe aleatët e Kosovës, dhe zgjedhjes së problemit me dialog në bisedime, apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Veri”.

“Pra, po shohim se ka nevojë që të qartësojë pozicionin e tij, nëse dëshiron që obligimet që i ka marrë në dialog në Bruksel dhe Ohër t’i zbatojë, apo të vendos gjendje të jashtëzakonshme në Veri, apo të vendos orë policore në komunat Veriore, ndalimin e tubimit më shumë se dy persona, ta nisë ushtrinë e Kosovës në Veri, deri në kufi”, pohoi ai.

Ndërkaq, pasi kryeministri Kurti theksoi se për shkak se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar marrëveshje që Ushtria e Kosovës të mos shkoj në Veri, Haxhiu i tha se “ta lejë të qetë Hashim Thaçin të qetë me problemet e tij, me hallet që ka ai, mos ta përdorë emrin e tij për qëllime elektorale këtu kur Serbia ia ka rrëmbyer tre policë”.

“Hashim Thaçi e ka bërë ushtrinë bashkë me ne”, pohoi ai, duke shtuar se “po pati guxim kryeministri dhe kjo qeveri le ta nisë ushtrinë tani në Veri”.

Po ashtu, Haxhiu dënoi kidnapimin e policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

“Akti i rrëmbimit të tre policëve në territorin e Kosovës është një agresion i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës”.

Largimi i Kurtit nga seanca e Kuvendit ku po diskutohej për rrembin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, nuk i pëlqej fare Haxhiut, dhe se këtë veprim e konsideroi si ikje ndaj përgjegjësisë.

“Në një situatë të tillë kryeministri nuk do të duhej që të ikte para llogaridhënies dhe përgjegjësisë para deputetëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore