Kosova

Haxhiu i kërkon Serbisë t’i transferojë në Kosovë Nezir Mehmetajn dhe Petrit Dulën


Albulena Haxhiu

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes llogarisë së saj në “Facebook”, njoftoi se ka nisur një letër në adresën e homologes së saj serbe, Maja Popoviç, ku i ka kërkuar që dy qytetarët e Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, të transferohen në Kosovë.

Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitin 1999, ndërsa ministrja Haxhiu ka kërkuar akuzat ndaj tyre të trajtohen nga organet kosovare.

“Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës, pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra”, shkroi Haxhiu.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë në të kaluarën kanë kërkuar nga institucionet Bashkimit Evropian që të bëjnë presion ndaj institucioneve serbe që të lirohet Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula.

Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999. Ai akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i UÇK-së.

Petrit Dula është dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Lartë në Beograd për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999. Ai në nëntor të vitit të kaluar u shpall fajtor për kryerjen e pretenduar të një krimi lufte, sulm ndaj një civili në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë në qershor 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore