Shqipëria

Hasani nis vizitën në Kroaci në takim me Plenkoviç, merr mbështetje për integrimin evropian


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kroaci, duke takuar kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç dhe duke marrë një mbështetje të qartë për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Hasani shkruan se raportet mes vendeve janë të shkëlqyera dhe mbështetja kroate për rrugëtimin evropian të Shqipërisë nuk ka munguar në mënyrë të vazhdueshme dhe do të vijojë të mbetet e lartë.

“Ne presim bashkëpunimin me Qeverinë kroate në të njëjtën frymë partneriteti strategjik, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, përmbyll kryediplomati shqiptar.

Agjenda

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Zagreb të martën e 23 prillit, ku do të ketë takime të nivelit të lartë me presidentin kroat, Zoran Milanoviç, si edhe me kryeministrin, Andrej Plenkoviç.

Po ashtu, Hasani do të takojë edhe homologun e tij, Gordan Grliç-Radman, me të cilin do të ketë një bisedë kokë më kokë.

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Hasani gjithashtu do të marrë pjesë në çeljen e  ekspozitës fotografike “Shqiptarët në Kroaci”.

Kjo është vizita e parë zyrtare e kryediplomatit shqiptar në Zagreb, e cila shihet edhe si shprehje e vullnetit të përbashkët për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe më gjerë, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për të bashkërenduar përpjekjet tona për anëtarësimin sa më të afërt në familjen evropiane.

Vizita do të shërbejë, gjithashtu, si një rast inkurajimi i Tiranës zyrtare dhe Zagrebit zyrtar për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian, si edhe të nxitjes së bashkëveprimit në realizimin e projekteve të përbashkëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore