Shqipëria

Harta e re Gjyqësore, Dhoma e Avokatisë në Durrës bojkot të gjitha seancave


E hëna e 27 qershorit i ka gjetur sallat e gjyqeve në Durrës pa avokatë. Por, këtë herë, ata kanë vendosur që të bojkotojnë për tri ditë edhe masat e sigurisë.

Kjo revoltë e tyre ka ardhur pas propozimit të “Hartës së re Gjyqësore”.

“Do të bëhet bojkot i seancave për masat e sigurisë dhe bojkotimin e të gjitha veprimeve hetimore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës dhe Kavajë, bojkotimin e të gjitha veprimeve hetimore pranë Drejtorisë së Policisë së rrethit Gjyqësor Durrës dhe Kavajë”, shkruhet në njoftimin e Dhomës së Avokatisë Durrës.

Disa ditë më parë, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, i ka bërë thirrje qeverisë të reflektojë, pasi protesta e tyre do të përshkallëzohet.

Ai paralajmëroi se mund t’i bojkotojnë edhe proceset gjyqësore për masat e sigurisë – ashtu siç ndodhi sot.

Ndërsa Avokatët Penalistë nuk kanë vepruar njëjtë si Dhoma e Avokatisë. Do të ishte kreu i saj, Sajmir Vishaj, i cili do të dilte kundër bojkotit.

Vishaj është paraqitur në seancat e tij të GJKKO-së. Ai ka deklaruar nuk mund t’i lënë klientët që kanë paguar.

Ndërsa theksoi se nuk është dakord me bojkotin e gjyqeve, por sugjeron që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me hartën e re gjyqësore.

Nga ana tjetër, ai ka dënuar presionet ndaj avokatëve se do të merren masa deri në heqje licence.

“Dhoma nuk është një dhomë private, dhomë private për të hequr licenca apo për të bërë presione. Avokati mund të respektojë instancat, por nuk mund të bëjë presion që të heqë licencën”, u shpreh Vishaj para mediave.

Harta e re

KLGJ-ja, pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 12 gjykata nga 22 që ishin më parë.

Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një Gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu, KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore