Shqipëria

Hapet – më në fund – Bypassi i Vlorës


E premtja e 16 korrikut do t’i gëzojë jo pak shqiptarët, pasi rruga e re me gjatësi 29 kilometër – e njohur si Bypass-i i Vlorës – do të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt qytetit bregdetar.

Duke filluar nga rreth-rrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë, transformimi epokal për Shqipërinë turistike, do të bëhet i kalueshëm për të gjithë udhëtarët që zgjedhin të pushojnë në bregdetin jugperëndimor.

Ndërsa puna vijon, përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor janë ndërtuar 15 kryqëzime dhe pesë ura kryesore.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.

Dhjetë vjet pritje

Projekti madhor i Bypass-it të Vlorës ka nisur kaherë i mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ai është projektuar që në gjenezë, në përputhje me standardet përkatëse të BE-së, si edhe me ligjet përkatëse kombëtare.

Më 22 nëntor të vitit 2011, projekti “Rrugët e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës” u miratua nga bordi dhe u vlerësua në kuotën 167 milionë euro.

Bypass-i i Vlorës kalon kryesisht përmes tokave bujqësore, me një ndikim minimal mbi prona rezidenciale dhe tregtare. Duke u bazuar mbi informacionin e censit të fundit, 224 prona do të preken nga procesi i shpronësimit dhe i risistemimit, si edhe do të kualifikohen për kompensim.

Kostoja totale e këtij projekti përfshin 24 milionë euro grante (KE, Italia dhe WBIF), 53 milionë euro bashkëfinancim nga BEI dhe 37 milionë euro nga Qeveria e Shqipërisë.

Premtimet ndër vite

Qeveria shqiptare nënshkroi në qershor të 2014-ës, kontratën me BEI-në, që siguron financimin për Bypass-in e Vlorës.

Kontrata financiare me vlerë 18 milionë euro u nënshkrua në Sallën e hartave në Kryeministri, nga ministri i atëhershëm i Financave, Shkëlqim Cani, dhe Zëvendëspresidenti i BEI, Dario Scannapieco.

Në një ceremoni ku ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Kontrata me BEI-n është pjesë e bashkëfinancimit të projektit, së bashku me BERZH-in dhe BE-në, përmes fondeve IPA. Bypass-i i Vlorës përfundoi me vlerë totale financimi prej 53 milionë euro.

Në mars të 2015-ës, u firmos kontrata e punimeve për Bypass-in e Vlorës me një afat 30 muaj, mes palës së qeverisë, ministrit të atëhershëm të Transportit, Edmond Haxhinasto, dhe kompanisë italiane të kontraktuar, Serenisima.

Dy vite më vonë, qeveria prishi kontratën për “mospërmbushje të detyrimeve”, ndaj rinisi procedurat e tenderimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në tetor të 2018-s, njoftoi përmbylljen e procedurave konkurruese të përzgjedhjes së kompanive kontraktore që do kryejnë punimet e dy veprave infrastrukturore, Bypass-it të Fierit dhe Bypass-it të Vlorës.

BERZH dhe BEI miratuan si fitues kompaninë e ndërtimit shqiptaro-italiane, Joint Venture “Gener 2 & Impresa me Inxhinier E.Mantovani”.

Ndërsa në nëntor të po atij viti, u firmos kontrata me Joint Venture shqiptaro-italiane “Gener 2 & Impresa Ing. E. Mantovani”.

Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë bën të ditur se kontrata ka vlerën e financimit prej 35 milionë e 874 mijë e 354 euro.

Dy vite më vonë ka filluar asfaltimi i kilometrave të parë në Bypass-in e Vlorës, nga ku ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, premtoi që do të bëhet e kalueshme në vitin 2021.

Ish- drejtori ARRSH-së, Ergys Verdho, është shprehur për mediat se, sot kjo vepër është ndërtuar në 70% të formës së saj, 60 % e gjurmës është e asfaltuar dhe veprat e artit nga pesë, tre janë të përfunduara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore