Kosova

Haliti: S’kishte plan për vrasjen e Rugovës në Tiranë


Foto nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka mohuar spekulimet se ka pasur atentat për vrasjen e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Tiranë.

Haliti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, i ka paraqitur disa fakte për të dëshmuar se raportimet e fundit janë vetëm spekulime dhe se s’ka pasur kurth për ta vrarë Ibrahim Rugovën.

“Pas përfundimit të Konferencës së Rambujes dhe nënshkrimit të marrëveshjes në Paris, delegacioni i Kosovës po bëhej gati të kthehej në Kosovë, por siç na u komunikua nga ndërmjetësuesit, aterimi i aeroplanit me të cilin do të udhëtonim nuk do të lejohej në Aeroportin e Prishtinës”, ka shkruar ai.

Duke shtuar se “përfaqësuesit ndërkombëtarë ishin të shqetësuar”.

Ndër të tjera, Haliti sqaroi se me propozimin e delegacionit të Kosovës, u vendos që aeroplani ushtarak të ateronte në Tiranë dhe në Shkup.

“Ata që donin të ndalojnë në Tiranë, do të zbrisnin në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, kurse ata që donin të rrinin në Shkup apo të udhëtonin për në Kosovë do të zbrisnin në Aeroportin e Shkupit”.

“Anëtarët e delegacionit nga UÇK-ja vendosën të ndalen në Tiranë dhe disa pas dy apo tri ditësh nëpërmjet rrugëve tokësore u futën në Kosovë”.

Ai kishte pasur kërkesë ndaj ish presidentit të Shqipërisë, Rexhep Mejdani, që ta priste delegacionin e Kosovës në Aeroportin e Rinasit.

“Gjatë bisedës hezitoi për shkaqe protokolli, por kur zbritëm, presidenti Mejdani ishte duke na pritur. I gjithë delegacioni zbriti nga aeroplani, në përjashtim të Rugovës”.

“Pasi u vendosëm në sallën VIP të Aeroportit të Rinasit, ambasadori francez me disa nga stafi i Mejdanit shkuan dhe e sollën Rugovën në sallën ku ishim”, ka deklaruar ai.

Këtë takim në Tiranë, Haliti e ka përshkruar si shumë “të hapur” dhe “vëllazëror”.

“Rugova duket në disponim të mirë. Mbase, edhe për arsye se pas prishjes me Sali Berishën, për katër vite nuk kishte qëndruar në Tiranë”.

“Rugova u zotua se shumë shpejt zyrtarisht do ta vizitonte Tiranën”.

Pas kësaj vizite, Haliti theksoi se Rugova u nis për në Shkup.

“E nga Shkupi se si kanë hyrë në Kosovë nuk jam në dijeni, por Rugova në Aeroportin e Rinasit nuk e ka pasur asnjë shqetësim”.

Vizita e Rugovës së bashku me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ishte realizuar gjatë vitit 2000.

Një atentat ndaj Rugovës në Tiranë kishte ndodhur më 15 mars të vitit 2005, kur një mjet shpërthyes ishte vendosur në rrugën e automjetit të tij.

Rugova, nuk u lëndua nga shpërthimi, por ngjarja shkaktoi shqetësim të madh dhe u dënua fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet vendase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore