Lajme

Halimi: Qasjen e LVV-së ndaj shtetit si projekt i përkohshëm, e dëshmojnë veprimet për ta zbatuar këtë ide


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se qasjen e partisë në pushtet ndaj shtetit si “projekt i përkohshëm” e dëshmojnë edhe veprimet për ta zbatuar këtë ide, meqë sipas saj kontestimi i vendimeve kushtetuese më qëllim të propagandimit kundër LDK-së “është i rrezikshëm” për frymën e krijuar të LVV-së kundër institucioneve të vendit.

“Është tejet e rrezikshme për demokracinë dhe konstruksionin tonë shtetëror, sfidimi që pushteti ia bën kushtetutshmërisë së vendit. Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, në vend që ta këndellin pushtetin për humnerën ku po e dërgon vendin, po përdoren nga ky i fundit si arsenal për artilerinë e propagandës’, ka shkruar ajo në Facebook.

Për Halimin, “propaganda klishe” e përbërë nga narrativa populiste e stërpërdorur, nuk mbulon kurrsesi “dështimin kolosal” në secilin sektor të pushtetit, i cili në fundosje e sipër, do t’i marrë të gjithë me vete në rrënim.

Ky reagim i Halimit vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje përmes një statusi në Facebook ka akuzuar opozitën se është “pa alternativë” dhe vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur “shtetin e kapur” dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.

“Pra, nga njëra anë ajo dërgon Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë dhe atë për Këshillin Prokurorial, kurse në anën tjetër Ligjin për çmimet tavan dhe atë për Fondin Sovran. Në mungesë të kritikës së mirëfilltë dhe alternativave ndaj propozimeve e vendimeve tona, me qëllim bllokimin e reformave tona transformuese e progresiste vazhdojnë të dërgojnë ligje në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në reagimin e LV-së.

“Kjo nuk ka të bëjë me opozitbërje, kjo është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore