Lajme

Hakerët rusë sulmojnë Lituaninë, shkak sanksionet ndaj Kaliningradit


Grupi rus i hakerëve “Killnet” ka pranuar përgjegjësinë të hënën për një sulm ndaj shërbimeve publike të Lituanisë, duke pohuar se goditja ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj bllokadës së mallrave të vendosura nga Vilnius në territorin rus të Kaliningradit.

Në një video-mesazh që qarkullonte në internet, grupi haktivist pro-rus kërkoi që Lituania të lejonte transitin e mallrave në Kaliningrad, përndryshe sulmet do të vazhdonin.

Sulmet filluan të godasin shërbimet lituaneze javën e kaluar.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Kombëtare i Lituanisë, Margiris Abukevičius, tha se sulmet ishin të lidhura ngushtë me objektivat strategjikë të Rusisë në përleshjen diplomatike me qeveritë evropiane për pushtimin e saj në Ukrainë.

Vendet e BE-së vendosën një paketë të katërt sanksionesh ndaj Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës që goditi linjat e transportit për në dhe nga Kaliningrad, territori rus i vendosur midis Lituanisë dhe Polonisë.

Linjat e ndërprera të transportit kanë ndezur tensionet midis BE-së dhe Rusisë.

Shërbimet lituaneze po përgatiten për sulme më të ashpra në ditët në vijim.

“Ka shumë të ngjarë që sulme të tilla, apo edhe më intensive, do të vazhdojnë në ditët në vijim, veçanërisht kundër sektorëve të komunikimit, energjisë dhe financiare”, tha në një deklaratë Jonas Skardinskas, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Lituanisë.

Agjencia rekomandoi gjithashtu që i gjithë personeli përgjegjës për sigurinë kibernetike tek institucionet qeveritare, si dhe kompanitë private, të marrin masa shtesë sigurie, duke përfshirë verifikimin e aksesit të palëve të treta në infrastrukturë.

Grupi i hakerëve Killnet në mesazhet e tij kërcënoi të vendoste ransomware, si dhe sulme DDoS kundër Lituanisë, por deri më tani asnjë sulm serioz ransomware nuk është identifikuar nga shërbimet e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore