Lajme

Guvernatori i BQK-së me ambasadorin Bajrami dhe Zemaj, diskutojnë për aktualitetet e sistemit financiar të Kosovës


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, të mërkurën është takuar me ambasadorin e Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami dhe ambasadorin e Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, të mërkurën është takuar me ambasadorin e Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami dhe ambasadorin e Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, me të cilët ka diskutuar për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar për media.

“Është biseduar për aktualitetet në sistemin financiar të vendit”, thuhet në komunikatë.

Çështje e diskutimit ka qenë edhe projekti i BE-së për modernizimin e sistemit të pagesave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Përkatësisht anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së, çështjen e përpjekjeve për Kartonin e Gjelbër, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me platformat globale të pagesave”.

Guvernatori Ahmet Ismaili, të martën është takuar me drejtorin të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, si dhe emisarin Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, fillimisht takimet ishin mbajtur ndaras me pas ishte mbajtur edhe takim trilateral – për të diskutuar lidhur me cështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit në Kosovë.

Pas takimit guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismajli.

Ai ka potencuar se rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe e njëjta nuk do të ndryshojë.

Ndërsa, emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas takimeve të së martës në Bruksel të Belgjikës për dinarin, tha se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe sëkëndejmi, nevojiten takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen.

Kosova refuzoi që në takimet e thirrura nga BE-ja për dinarin të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideron që çështja e rregullores së BQK-së mbi operacionet me para të gatshme nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore