Kosova

Guerot: Presim të shohim se si u organizua sulmi në Banjë – s’mund të flasim për pasojat


Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se janë duke vazhduar hetimet se si ka ndodhur rasti i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Guerot, u shpreh se para vendosjes së masave të mundshme, fillimisht pritet të zbulohet se si është organizuar ky sulm.

“Tani duhet të shikojmë saktësisht se si u organizua ky sulm. Tashmë ka diskutime mes partnerëve përkatës dhe këtu nuk mund të them më shumë për pasojat e mundshme për aktorët e këtij sulmi”, tha Guerrot për RTK.

E vetmja zgjidhje aktualisht sipas tij vazhdon të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

“Rruga përpara është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për këtë ne po punojmë shumë”, tha ai.

Guerot, u shpreh se në kuadër të procesit të dialogut, “fokusi duhet të jetë te marrëveshja dhe zbatimi i saj”.

Manastiri i Banjës në Zveçan, 24 shtator 2023.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, të enjten ka thënë se do të vendos masa ndaj Serbisë për sulmet në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator sapo të jetë i ditur një përfundim që i tregon gjërat qartazi.

Ai ka sqaruar se SHBA-ja s’ka vendosur masa sanksionuese ndaj Kosovës pasi që presin që të bashkëpunojnë me Kosovën për sigurinë në Veri.

“Ne nuk morëm masat që mori Bashkimi Evropian, por qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri disa gjëra, duke e bërë të qartë se presim që Qeveria e Kosovës të punojë me ne për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Veri. Ne kemi pritje të ngjashme për Serbinë. Dhe sërish do të them se ndërsa të arrijmë në përfundimet tona, për përgjegjësinë përfundimtare ose atë që ne e quajmë atribuim për këto akte, ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës”.

Ndërsa, është shprehur se rrethanat që ishin në muajin maj dhe ato të shtatorit në Veri dallojnë, prandaj ka thënë se “s’mund t’i barazojmë”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore