Lajme

Hovenier konteston pohimet e Kosovës se dialogu ka vdekur: BE-ja dhe SHBA-ja kanë përpjekje maksimale për të promovuar një marrëveshje


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kontestuar pohimet se dialogu Kosovë-Serbi ka vdekur.

Ai gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, është pyetur rreth deklaratave që janë bërë nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, konkretisht nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila kishte deklaruar ditë më parë se pa vendojsen e sanksioneve ndaj Serbisë, “dialogu është i vdekur”.

Hovenier, deklaroi se do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sjellur një marrëveshje që do të jetë në dobi të të dyja vendeve.

“Epo, unë do të kontestoja pohimin se ka vdekur dhe do të shtroja gjithashtu pyetjen, çfarë nënkuptojnë njerëzit me “punë e zakonshme”? Nëse “biznes si zakonisht” do të thotë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të promovuar një marrëveshje që është në dobi të të dyja vendeve, atëherë po, ne do ta vazhdojmë atë veprim”.

“Ne do të vazhdojmë me atë punë të zbatimit të një marrëveshjeje të mirë që ndryshon marrëdhëniet dhe krijon kushte të një qëndrueshmërie dhe sigurie më të madhe për popullin e Kosovës dhe për popullin e Serbisë”.

Pamje nga takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Kërkesë e tij, ka qenë që të shohin më shumë vullnet nga të dyjat palët në dialog.

“Dhe nuk mendoj se do të kërkojmë ndjesë që kjo do të vazhdojë të jetë qasja jonë. Megjithatë, sigurisht që do të jemi të qartë për faktin se duhet të shohim vullnet më të madh politik nga të dyja palët për t’i zbatuar plotësisht ato detyrime”.

Sipas tij, SHBA-ja do të vendos masa ndaj Serbisë për sulmet në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator sapo të jetë i ditur një përfundim që i tregon gjërat qartazi.

Ai ka sqaruar se SHBA-ja s’ka vendosur masa sanksionuese ndaj Kosovës pasi që presin që të bashkëpunojnë me Kosovën për sigurinë në Veri.

“Ne nuk morëm masat që mori Bashkimi Evropian, por qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri disa gjëra, duke e bërë të qartë se presim që Qeveria e Kosovës të punojë me ne për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Veri. Ne kemi pritje të ngjashme për Serbinë. Dhe sërish do të them se ndërsa të arrijmë në përfundimet tona, për përgjegjësinë përfundimtare ose atë që ne e quajmë atribuim për këto akte, ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që janë përgjegjës”.

Ndërsa, është shprehur se rrethanat që ishin në muajin maj dhe ato të shtatorit në Veri dallojnë, prandaj ka thënë se “s’mund t’i barazojmë”.

“Ajo që mund të them është së pikë së pari, nuk do t’i barazoja këto dy rrethana. Së dyti, do të thosha se qeveria e Shteteve të Bashkuara vendosi të ndërmarrë disa veprime pasi kryeministri (i Kosovës), kundër këshillës sonë, ndërmori veprime që përdorën, nga këndvështrimi ynë, forcë të panevojshme për të siguruar qasje në ndërtesat komunale, duke kontribuar në një destabilizim në Veri”.

Manastiri i Banjës në Zveçan, 24 shtator 2023.

Edhe pas konfirmimit të kriminelit Millan Radojiçiç-it, se ishte i përfshirë në sulmet në Banjë të Zvecanit më 24 shtator, SHBA-ja dhe BE-ja s’ndërmorën asnjë masë.

Hovenier, tha se kriminelë do të mbajnë përgjegjësi ndërsa kërkesë kanë pasur edhe nga Qeveria e Serbisë që të bashkëpunojnë për t’i arrestuar ata.

“Dhe ne besojmë se ata kriminelë të përfshirë në këtë duhet të mbahen përgjegjës. Dhe ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Serbisë që të luajë një rol për t’u siguruar që kjo të ndodhë. Nuk mund të flas për veçantitë e një vendimi gjyqësor në lidhje me arrestin shtëpiak”.

“Me sa kam kuptuar zoti Radojiçiç është arrestuar dhe akuzohet për disa krime shumë të rënda. Pritjet e qeverisë sime janë se ai do të mbahet përgjegjës për ato krime”.

I pyetur nëse as armët që janë gjetur me origjinë të Serbisë, s’tregojnë për një argument, ambasadori ripërsëriti se janë duke punuar që të dalin në përfundime.

“Kam dëgjuar shumë zyrtarë në qeverinë e Kosovës ta thonë këtë në veçanti. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të bëjmë përcaktimet përfundimtare të asaj që ne e quajmë atribuim, për t’u siguruar që e kemi kuptuar saktësisht”.

“Por, siç thashë, ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe po punojmë me miqtë tanë në qeverinë e Kosovës dhe gjetkë për ta kuptuar më mirë këtë”.

Foto: Albanian Post.

Rreth deklaratave dhe pakënaqësive që janë bërë nga krerët e Kosovës për rolin e ndërmjetësit të Bashkimit Evropian në dialog, Miloslav Lajçak, ai pohoi se Lajçak ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve.

Pasi sipas tij, qëllimi i të gjithë personave që janë të përfshirë në dialog është që të arrihet sukses mes Kosovës dhe Serbisë.

“Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tonë. Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë”.

“Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”.

“Ky është qëllimi përfundimtar”, tha ambasadori.

Përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore