Lajme

Grupi në WhatsApp që shpëtoi gratë e trafikuara në Oman


Media britanike BBC ka hetuar se si një grup në WhatsApp ka ndihmuar në shpëtimin e më shumë se 50 grave nga Malawi – të trafikuara në Oman për të punuar në kushte të ngjashme me skllavërinë:

32-vjeçarja shpërthen në lot teka kujton abuzimin që përjetoi kur, duke shpresuar për një jetë më të mirë, e gjeti veten duke punuar si shërbëtore në Oman.

Georgina, e intervistuar nga BBC, besonte se ishte rekrutuar për të punuar si shofere në Dubai.

Ajo kishte në pronësi një biznes të vogël në Lilongwe, kryeqytetin e Malawi, kur një agjent iu afrua duke i thënë se mund të fitonte më shumë para në Lindjen e Mesme.

Vetëm kur avioni u ul në Muscat, kryeqyteti i Oman-it, ajo kuptoi se ishte mashtruar dhe më pas u bllokua nga një familje, e cila i kërkonte orë të vështira pune, shtatë ditë në javë.

“Arrita në një pikë ku nuk mund ta përballoja”, ka rrëfyer ajo, duke treguar se flinte vetëm dy orë.

Nuk vonoi shumë dhe shefi i saj filloi ta detyronte të kryente marrëdhënie seksuale me të, duke e kërcënuar se do ta qëllonte nëse thoshte diçka.

“Nuk ishte vetëm ai. Ai sillte miq dhe ata e paguanin më pas”.

Vlerësohet se në shtetet arabe të Gjirit janë rreth dy milionë punëtore shtëpiake.

Në një sondazh me 400 gra në Oman nga shoqata bamirëse e emigrantëve Do Bold, botuar nga Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Trafikimin e Personave të vitit 2023, u zbulua se thuajse të gjitha ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.

Gati një e treta kanë thënë se ishin abuzuar seksualisht, ndërsa gjysma raportuan abuzim fizik dhe diskriminim.

Pas disa javësh, Georgina u dëshpërua dhe në një postim në Facebook u lut që dikush ta ndihmonte.

Mijëra milje larg në shtetin amerikan të New Hampshire, aktivistja 38-vjeçare e mediave sociale nga Malawi, Pililani Mombe Nyoni, pa mesazhin e saj dhe filloi të hetonte.

Ajo ra në kontakt dhe e hoqi postimin në Facebook për sigurinë e Georgina-s dhe kaloi në numrin e saj WhatsApp, i cili filloi të qarkullonte në Oman.

Ajo shpejt e kuptoi se ishte një problem më i gjerë.

“Georgina ishte viktima e parë. Pastaj ishte një vajzë, dy vajza, tre vajza”, ka treguar ajo për BBC-në.

Më shumë se 50 gra nga Malawi që punonin si punëtore shtëpiake në Oman iu bashkuan grupit.

Së shpejti grupi i WhatsApp ishte plot me shënime zanore dhe video, disa tepër të tmerrshme për t’u parë, duke detajuar kushtet e tmerrshme që gratë po duronin.

Shumë prej tyre u morën pasaportat sapo mbërritën, duke i penguar të largoheshin.

Disa treguan se si ishin mbyllur në tualete për të dërguar fshehurazi mesazhet e tyre lutëse.

“Ndjehem sikur jam në burg…nuk mund të arratisemi kurrë. “Jeta ime është vërtet në rrezik”.

Nyoni filloi të fliste me organizatat bamirëse kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Malawi dhe u njoh me Ekaterina Porras Sivolobova, themeluese e Do Bold, me qendër në Greqi.

Do Bold punon me një komunitet punëtorësh emigrantë në vendet e Gjirit, duke identifikuar viktimat e trafikimit ose të punës së detyruar dhe më pas negocion me punëdhënësin e tyre që ato të lirohen.

“Punëdhënësit paguajnë një agjent për sigurimin e një punëtoreje shtëpiak. Një nga sfidat më të zakonshme me të cilën përballemi është se punëdhënësi ose agjenti thotë: I dua paratë e mia, pastaj ajo mund të shkojë në shtëpi”, ka thënë Sivolobova për BBC.

“Ligjet që janë në fuqi në Oman e ndalojnë një punëtoreje shtëpiake të largohet nga punëdhënësi. Ajo nuk mund të ndryshojë vendin e punës dhe nuk mund të largohet nga vendi – pavarësisht se si trajtohet”.

Ky është ai që njihet në Lindjen e Mesme si sistemi i punës kafala, i cili i lidh punëtorët me punëdhënësit e tyre për kohëzgjatjen e kontratës së tyre.

Komiteti Kombëtar i Oman-it për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore i ka thënë BBC-së se marrëdhënia midis punëdhënësit dhe punonjësit ishte kontraktuale – dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura mund t’i referohen një gjykate brenda një jave.

Po ashtu ai ka thënë se një punëdhënës nuk lejohej “të impononte asnjë formë të punës së detyruar ndaj punëtorit” dhe nuk mund të mbante “pasaportën dhe dokumentet private të punëtorit pa pëlqimin e tij me shkrim”.

Pas tre muajsh në Muscat, dhe me ndihmën e Nyoni dhe dikujt në Oman, Georgina u kthye në Malawi në qershor 2021.

Rasti i Georgina-s e lejoi atë të ngrejë alarmin brenda Malawi dhe presioni filloi të rritet mbi qeverinë për të ndërhyrë.

Qendra bamirëse Malaviane për Iniciativat për Demokraci dhe Zhvillim Ekonomik (CDEDI) nisi një fushatë shpëtimi në Oman, duke u bërë thirrje autoriteteve që t’i sjellin gratë në shtëpi.

Qeveria e Malawi-së, e cila gjithashtu ka punuar me Do Bold, ka thënë se ka shpenzuar më shumë se 160 mijë dollarë për të kthyer 54 gra nga Oman-i.

“Shumica e këtyre grave janë liruar sepse punëdhënësit i janë paguar para, nga 1 mijë deri në 2 mijë dollarë”, ka treguar Sivolobova.

“Pra, në thelb, liria e tyre duhej të blihej. Dhe kjo është ajo që më shqetëson. Si mund ta blesh lirinë e dikujt tjetër?”

Një zëdhënës nga qeveria e Malawi-së ka thënë për BBC se po zhvillohen rregulla “për të siguruar migrim të sigurt, të rregullt dhe nga i cili përfitojnë emigrantët, familjet e tyre dhe vendi në përgjithësi”.

Por Nyoni, grupi i së cilës në WhatsApp tani është më shumë një forum mbështetës për të kthyerat, ka thënë se çështja e punëtoreve shtëpiake të trafikuara në Oman nxjerr në pah një problem më të madh në Malawi – atë të varfërisë dhe papunësisë.

“Nëse vajzat e reja do të kishin një mundësi për të pasur punë në Malawi, ato nuk do të futeshin në grackë. Ne duhet të rregullojmë kombin në mënyrë që këto të reja të mos fyten kurrë në kurth si ky”.

Për Georgina-n, trauma ka qenë e vështirë për t’u lënë pas.

Teksa sheh liqenin në Malawi, një nga më të mëdhenjtë në Afrikë, ajo kujton se asgjë në jetë nuk zgjat përgjithmonë.

“Një ditë e gjithë kjo do të jetë histori”.

“Gjej qetësinë dhe inkurajoj veten se do të kthehem ashtu siç isha – Georgina e vjetër, e cila ishte e pavarur”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore