Lajme

“Grey Dynamics”: Serbia me shumë gjasë do të rrisë dislokimet ushtarake në kufirin me Kosovën në 12 muajt e ardhshëm


Ilustrim

Një organizatë private e intelegjencës me seli në Londër të Britanisë së Madhe paralajmëroi se Serbia pritet të rrisë – sërish – dislokimet ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën në 12 muajt e ardhshëm, derisa njëkohësisht pritet të mbështesë publikisht edhe politikën ruse në mënyrë që të vendosë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë në dritën e luftës në Ukrainë.

“Ka shumë të ngjarë që qeveria serbe të mbështesë publikisht politikën ruse për të vendosur marrëdhënie më të ngushta me Rusinë në 12 muajt e ardhshëm; ka shumë të ngjarë që industria serbe e eksporteve të armëve të rritet në 12 muajt e ardhshëm; ka shumë gjasa që Serbia të rrisë dislokimet në kufirin me Kosovën në 12 muajt e ardhshëm”, paralajmëroi organizata.

Në shtator të vitit të kaluar, në linjë me rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve, veçanërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, përgjatë vijës kufitare me Kosovën, administrata amerikane alarmoi për një “grumbullim të paprecedent” të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit.

E në një artikull tjetër, organizata në fjalë që merret me aspektet e sigurisë dhe spiunazhit, paralajmëroi edhe përshkallëzim të tensioneve Kosovë-Serbi në 6 muajt e ardhshëm, duke përfshirë edhe shtetet fqinje të rajonit, posaçërisht nëqoftëse Qeveria e Kosovës nuk lëvizë nga qëndrimi për ndalimin e dinarit serb që përdoret kryesisht në komunat veriore të vendit.

“Tensionet etnike ndërmjet kosovarëve dhe serbëve ka të ngjarë të rriten në Kosovë gjatë 6 muajve të ardhshëm ndërsa qeveria zbaton vendimin për ndalimin e dinarit. Përplasja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet rajonale në 6 muajt e ardhshëm, ndërsa vendet fqinje rreshtohen me njërën ose tjetrën palë”, paralajmëroi organizata britanike.

Gjithashtu, në analizën e organizatës “Grey Dynamics” mbi rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, konsiderohet se ka të ngjarë që Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) të ndërhyjnë gjatë 6 muajve të ardhshëm në përpjekje për të stabilizuar rajonin për shkak të tensioneve të shtuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Në këtë drejtim, asnjëra palë nuk i ka ulur tensionet, duke shkaktuar shqetësim në Evropë. Me sa duket, duke pasur parasysh vëmendjen evropiane dhe amerikane ndaj konfliktit të vazhdueshëm ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, situata e sigurisë në rajon rrezikohet të përshkallëzohet”.

Kjo atmosferë e nxehtë në marrëdhëniet midis dy vendeve tashmë është bërë normë dhe pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2024. Një vendim i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, shtroi shtresa të reja në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, në një artikull të gazetës gjermane “Welt” kushtuar tensioneve në Ballkanin Perëndimor, u tha se frika nga ripërtëritja e konflikiteve në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë entike është duke u rritur në kancelaritë perëndimore, posaçërisht pas sulmit të paramilitarëve serbë në veri të Kosovës dhe kërcënimeve secesioniste në Bosnje-Hercegovinë.

Në vorbullën e këtyre zhvillimeve, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore